Futbollisti i Maliqit, Arlind Xaka do ti nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjike për të kuruar frakturën në nofull pas dhunës së pësuar në ndeshjen ndaj Këlcyrës. Një pjesë të mirë të shpenzimeve të ndërhyrjes për të cilën ka nevojë lojtari i Maliqit e kanë marrë përsipër t'i përballojnë vete. Për të ardhur në ndihmë sulmuesit të tyre, lojtarët kanë vendosur të grumbullojnë një pjesë të konsiderueshme të rrogës mujore si dhe kanë kërkuar ndihmën e bizneseve.
Vetë futbollistët me nismën e tyre kanë kërkuar mbështetjen e bizneseve për të plotesuar shumën prej 2100 eurosh që nevojiten për ndërhyrjen në nofull të lojtarit të tyre. Një pjesë e shumës do të mbulohet edhe nga këshilli bashkiak i Maliqit i cili ka shprehur gatishmërinë për tiu gjendur në ndihmë lojtarit.
Xaka në ndeshjen e fundit me Maliqin, në Kategorinë e Dytë ka rënë viktimë e dhunës së ushtuar nga lojtarët e Këlcyrës duke pësuar demtime në nofull. Aristidh Çoli e goditi me grusht gjatë lojës duke e detyruara Xakën të lërë ndeshjen me autoambulancë. Vetë trajneri i Maliqit, Egli Malësia u shpreh për Report Tv më 3 nëntor, se lojtarët e tij kishin përjetuar tmerr në Këlcyrë. Por FSHF menjëherë pas incidentit përjashtoi përjetë autorin e kësaj ngjarje, mbrojtësin Aristidh Çoli dhe shokun e tij Saimir Kulen, këtë të fundit për dhunën ndaj gjyqtarëve të lojës.