Ndonjëherë e them me shaka se na ka ikur mendja të gjithëve, por kjo çka ndodh më së fundi, plotëson më mirë atë që e kisha konsideruar si një shprehje të thënë aty për aty, sa për të mos lënë fjalinë për gjysëm, e për të thënë ndonjë fjalë edhe pse nuk kisha ndërmend ta thosha.

Ani është nipi im 17 vjeçar. Ka lindur në Greqi, ka dy prindër shqiptarë, por ka pasaportë greke. Kur im atë më tregoi se po e niste sot (dje) për në Greqi, më iku mendja. E zeza djali, thashë me vete, ndërkohë që e mendoja se ai me vete kish edhe të vëllanë, më të vogël në moshë dhe të dy vetëm, pa asnjë prind, thjesht me një prokurë. Desha të revoltohesha me tim atë dhe ti thosha në telefon se nuk e dëgjonte se ç’bëhej. E se ç’po ndodhte këtej dhe matanë kufirit? Desha ti thosha po mirë, nuk prisnim dot sa të qetësohej kjo puna e kufirit Shqipëri-Greqi e mandej të dy nipërit të ktheshin rehat në shtetin fqinj?

Më iku mendja fare. Përtej njëmijë telasheve që na dalin përpara në punën tonë të përditshme të gazetarit, isha në kontakt të herëpashershëm me gazetarët e Gjirokastrës për të parë se në ç’nivel po acaroheshin marrëdhëniet në kufi, duke pasur në mend të merrja ndonjë person dhe ti thosha të gjente dy nipërit e mi që ishin atje dhe të paktën t’u qëndronte afër. Në fund të fundit, nëse nuk bëhej dot sot nisja, ata me pasaportë greke janë, mund të niseshin edhe një ditë tjetër ku konflikti të ishte zhdukur.

Duke menduar me mendjen e ikur për gjithë këto detaje, mendimet riktheheshin te konflikti i Përmetit, aty ku shihja priftërinjtë që besonin në Zot a Perëndi teksa shtynin punonjësit e rendit a thua se feja që predikojmë dhe zoti tek i cili falemi na mëson se dhuna, është ajo me të cilën zgjidhim problemet, dhe jo mirëkuptimi.

Kam shkruar për këtë çështje disa ditë më parë dhe kam thënë se konflikti i përmetit ishte një problem “banal” që duhet të zgjidhej thjeshtësisht me negociata. Por sot, pasi ky konflikt “banal” mori përmasat tragjikomike të marrëdhënieve mes dy shteteve, u jap të drejtë të gjithë atyre që thonë se ishte një konflikt i stisur, jo një çështje ligjore, siç duam ta shohim ne shqiptarët.

Gjithë këto vite të demokracisë Greqia na ka ngritur si çekan mbi kokë faktin se në shtetin fqinjë jetojnë e punojnë 700 mijë emigrantë shqiptarë, ndërkohë që mund të themi se sot, pas 23 vitesh demokraci, shumica e tyre janë stabilizuar, integruar dhe janë kthyer në shqiptarë komunitarë evropianë.

Gjithë këto vite kemi shkruar e folur se toleranca, jo urrejtja, duhet të jetë gjuha me të cilën duhet të flasim me fqinjët tanë grekë. Gjithë këto vite kemi shkruar e folur se integrimi, jo përçmimi, duhet të jetë fjala për të gjithë ata emigrantë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, duke sjellë para për vendin tonë, por duke dhënë kontributin maksimal për shtetin fqinj.

Gjithë këto vite kemi shkruar dhe folur se me komshiun na ndan një gardh, nuk mund të jemi armiq, duhet të gjejmë fjalën magjike që na ul në një sofër e na bën partnerë.
Por, ja që mendësitë ballkanike të dy kombeve nuk u fshehkërkan dot me një të rënë të lapsit, apo me një kronikë televizive. Duhet shumë punë dhe energji nga njerëz të mençur që të marrin situatën në dorë dhe t’u thonë stop provokimeve vend e pavend nga të dy palët.

Duhet reciprocitet. Reciprocitet në marrëdhëniet politike, në marrëdhëniet ekonomike, në marrëdhëniet kulturore, e mbi të gjitha, në marrëdhëniet njerëzore.
Nipi im ka lindur në Greqi. Ka pasaportë greke. Tani që ishte me pushime e pyeta se çfarë do të donte të studionte. Më tha se kishte dëshirë të studionte mjeksi ose fizikën bërthamore. Ai është talent. Do të vazhdojë të shkollohet atje. Kombësinë e ka shqiptare. Shtetësinë e ka greke. Në një moment ndërsa flisnim për shkollën më tha: E di teze ku është problemi: Në Greqi më thonë: o shqiptar. Sa vij në Shqipëri, më thonë: o grek. Po unë çfarë jam?
I ktheva një përgjigje të thjeshtë: Nip i dashur, mos u jep përgjigje fare. U ka ikur mendja të gjithëve!!!!!!

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 22.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)