Një 33-vjeçar shqiptar është dënuar me 20 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi u kap duke u kujdesur për 293 bimë kanabisi, vlera e të cilave përllogaritej në rreth 439,500 paund në tregun e paligjshëm.

Plantacioni u zbulua, gjatë një kontrolli policor në një pronë në Market Square, në Kirkby Stephen. Në ambientet e ndërtesës së Agim Cjapit u gjetën bimë në faza të ndryshme rritjeje, si dhe prova të kultivimeve të mëparshme.

Gjatë gjyqit Cjapi pranoi akuzën për prodhimin e kanabisit. Avokati i tij deklaroi se shqiptari ishte trafikuar drejt Britanisë, kishte borxhe dhe ishte kërcënuar me dhunë nëse nuk kryente detyrat që i caktoheshin. Sipas mbrojtjes, atij i ishte mbajtur pasaporta dhe jetonte në kushte të këqija.

Gjykatësja pranoi se ai kishte punuar nën drejtimin e personave të tjerë, por vlerësoi se duhet të ketë qenë i vetëdijshëm për përmasat e aktivitetit.

33-vjeçari u dënua me 20 muaj burg në ditën e ditëlindjes, ku pasi gjytqtarja i dha dënimin, ajo i tha Cjapit: “Më vjen keq që kjo seancë dëgjimore është dashur të zhvillohet në ditëlindjen tënde. Shpresoj të ketë më shumë ditëlindje të këndshme në të ardhmen."- ndërsa autoritetet pritet të shqyrtojnë deportimin e tij nga Britania e Madhe.