TIRANË - Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurimit arrest në burg për Elidon alias Aldo Avdylaj i arrestuar një ditë më parë nga forcat RENEA në një apartament pranë Liqenit të Thatë, Tiranë.

37-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga SPAK pas operacionit më 2 tetor, ku u godit grupi i Aleksandër Lahos (Rrumi i Shijakut) dhe i Astrit Avdylajt. Aldo Avdylaj akuzohet se ka organizuar dhe bashkëdrejtuar grupin me Astrit Avdylajn për vrasjen e Edmir Bregut në vitin 2021 në Durrës.

Vrasja u zbardh pas komunikimeve në Sky ECC të grupit të Rrumit të Shijakut dh Astrit Avdylajt. Sipas SPAK, porositësi i vrasjes së Bregut ishte Astrit Avdylaj në shenjë hakmarrje për tentativën për të vrarë Aldon. Si ekzekutorë vepruan Alfred Doka dhe Ermir Dedja.

Doka është në kërkim, ndërsa Dedja u ekzekutua më 20 maj të këtij viti në Durrës. Si ndihmës, SPAK akuzon edhe Enea Kumen, vëllain e deputetit të PS, Loer Kume.