Dy shqiptarë janë dënuar me 18 muaj burg, prej të cilëve 12 muaj me kusht, për një vjedhje në një banesë në Zaventem, shkruajnë mediat belge.

Ata u arrestuan në flagrancë pasi një burrë i kishte pikasur teksa kishin hyrë brenda shtëpisë së fqinjit të tij të ndjerë dhe kishte njoftuar policinë.

Në dosjen e prokurorisë, thuhet: “Për më tepër, ata kishin në xhepa bizhuteri që u përkisnin banorëve të ndjerë. Në dritare u konstatuan gjurmë përdorimi të kaçavidave dhe ishte hequr një sensor lëvizjeje.”

Avokatja e njërit prej shqiptarëve (të dy e kanë pranuar veprën), tha: “Klienti im ka ardhur nga Shqipëria në Belgjikë për të punuar. Ai ka punuar për ca kohë edhe në ndërtim, por nuk është paguar. Ishte aq i dëshpëruar, sa përfundoi bashkë me një mik në atë shtëpi.”

Sipas mbrojtjes, kjo ishte hera e parë që ai përballej me drejtësinë dhe pikërisht për këtë arsye u kërkua një dënim me kusht. Edhe i pandehuri i dytë kërkoi pezullimin e dënimit.

Prokuroria kishte kërkuar një dënim efektiv me 18 muaj burg. Gjykata e pranoi, por 12 nga 18 muajt e burgimit do t’i kryejnë në liri me kusht, kurse 6 efektivisht.