Gjykata e Tiranës ka konfirmuar ligjshmërinë e arrestimit të katër personave të dyshuar për përfshirje në tregtinë e paligjshme të armëve.
Gloris Nezaj, Rezarto Rumi, Kelvin Caushi dhe Ardian Caushi u arrestuan të dielën e 1 shkurtit dhe sipas prokurorisë, përdornin platformat dixhitale për të ofruar dhe reklamuar armë zjarri.
Sipas organit të akuzës, hetimet nisën pas zbulimit të komunikimeve në rrjetet sociale, ku një video tregonte disa armë zjarri, përfshirë rreth 10 kallashnikovë. Kjo provë çoi në regjistrimin e procedimit penal në qershor 2025 dhe në vendosjen e masave të posaçme hetimore, përfshirë përgjime dhe vëzhgime të fshehta për një periudhë disamujore.
Prokurori i çështjes, Ridvan Suka, bëri të ditur se aktiviteti i dyshuar kriminal zhvillohej përmes aplikacionit të koduar Signal. Në kuadër të hetimit, autoritetet realizuan disa blerje të kontrolluara armësh: fillimisht një pistoletë më 12 janar, më pas një armë gjysmë automatike më 19 janar dhe, në fazën pasuese, tre armë të tjera, njëra prej të cilave me silenciator.
Gjatë operacionit policor në një ambient privat të lidhur me të dyshuarit, u sekuestruan gjithashtu jelekë antiplumb dhe pajisje komunikimi, përfshirë radiomarrëse me mbishkrimin “Bondi”.
Hetimet vijojnë, ndërsa katër të dyshuarit mbeten nën masat e sigurisë të vendosura nga gjykata.
Komente









