
Gjatë fjalimit të tij në protestën kombëtare të Partisë Demokratike, Sali Berisha përsëriti akuzat kundrejt qeverisë, teksa u tha protestuesve “jemi në harkun e triumfit tonë.” Ai u ndal edhe te zhvillimet e kësaj jave me ftesën e Trump për Shqipërinë në Bordin e Paqes dhe ceremonia e nënshkrimit e mbajtur në Davos.
Berisha tha se Rama nuk gjendej atje sepse po mbronte Ballukun në parlament, kur në të vërtetë, kryeministri ishte duke pritur vajzën e Trump në Vlorë, Ivanka Trump. Madje, ai s’e kurseu as një batutë gjatë seancës “zgjodha vajzën me lejen e babait.”
Ndër të tjera, Berisha kërkoi krijimin e një qeverie teknike për të rrëzuar Ramën përmes revoltave.
“Sot shumica e shqiptarëve po e kuptojnë se Rama ka bllokuar drejtësinë për të mbrojtur veten, familjarët e tij pasi ka vjedhur miliona e miliarda. Ai nuk ikën nga drejtësia, por pëmbyset nga zemërimi dhe revolta juaj. Nëse sot gjendemi në kilometrin e fundit të opozitës sonë, edhe për një arsye tjetër ne do të triumfojmë dhe kjo arsye është kriza e thellë që Edi Rama po kalon me narkoshtetin që po kalon. E patë ju vetë, një javë të tërë, Edi Rama krekosej me një ftesë formale që Donald Trump u kishte bërë vendeve partnere për Bordin e Paqes. E patë se si Edi Rama e përdori atë ftesë sikur ishte arkitekti i bordit, sikur ishte themeluesi. Por çfarë ndodhi? Ndodhi që në mbledhjen themeluese të bordit, aty ku u firmos Bordi i Paqes në Davos, Edi Ramën nuk e pranonte salla. Edi Rama gjendej në parlament duke bërë avokatin e lubisë, duke ulëritur, duke sharë si ordiner opozitën.Koha ka ndryshuar, stina është e jona.
Ne sot nuk jemi më një parti. Nuk jemi këtu as për një individ. Nuk jemi këtu pra për asgjë tjetër, por jemi këtu për ndërgjegjen tonë, jemi këtu për idealet tona. Ne jemi këtu për ndërgjegjen tonë kombëtare si shqiptarë sepse nuk duam dhe nuk pranojmë kurrë që Shqipëria të vidhiset në honet e historisë, të shpopullohet dhe të ecë e sigurt drejt shkretimit nga banorët e saj. Ne jemi këtu si ndërgjegje dhe dinjitet njerëzor, se nuk mund të pranojmë kurrë që për karrigen e krimit të Edi Ramës, zgjedhjet tona të shndërrohen në opozitë. Ne jemi këtu si ndërgjegje dhe dinjitet njerëzor se nuk mund të pranojmë kurrë që pasuritë publike, taksat e shqiptarëve, të plaçkiten nga një grup qeveritarësh, kurse shqiptarët të zhyten çdo ditë e me thellë në varfëri dhe mjerim. Ne jemi këtu si ndërgjegje qytetarë, si ndërgjegje njerëzore, se nuk mund të pranojmë kurrë këtë agresion të tmerrshëm kundër familjes. Ne jemi këtu si qytetarë të këtij vendi, që nuk mund të pranojmë kurrë këtë emër të zi që Edi Rama i ka dhënë Shqipërisë si narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë. Prandaj të dashur qytetarë dhe qytetare, sonte është thirrja e madhe, është ora jonë, të bashkohemi, të bashkohemi, të bashkohemi për të përmbysur këtë qeveri, për të krijuar një qeveri teknike, për zgjedhje të reja dhe të ndershme, për një vizion të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për dinjitetin e tyre, për interesin kombëtar, për familjen shqiptare, për ëndrrën e të rinjve shqiptarë në Shqipëri, për ligjin dhe Kushtetutën dhe barazinë para tyre. Për luftën me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit. Për Shqipërinë që ecën e sigurt drejt integrimit në Europë. Edhe njëherë u ftoj të bashkohemi, të vazhdojmë këtë betejë, të vazhdojmë këtë rrugën në kilometrin e fundit, kilometrin e fitores.
Lajmi kryesor:
PD në protestë, breshëri molotovësh drejt Kryeministrisë, militantët përplasje me efektivët te Kuvendi! Hidhet gaz lotsjellës, 11 policë të lënduar! PAMJE me dron











