Kryeredaktori i 'RD', Bledi Kasmi ka raportuar përpara Komisionit Parlamentar të Medias, për lëndimin që ai mori në kokë gjatë protestës së 26 majit të opozitës përpara Ministrisë së Brendshme. Kasmi thotë se ndodhej te protesta e opozitës përpara Ministrisë së Brendshme, si gazetar dhe jo si militant partie.

Ai tha se kishte vendosur duart te rrjeta e hekurit për të shmangur përplasjen e policisë me protestuesit, megjithëse në pamje Kasmi duket duke shtyrë forcat e rendit së bashku me protestuesit, moment i cili shkaktoi edhe konfrontimin me Forcat Speciale.

Janë shumë gazetarë të tjerë si puna ime që kanë qenë në vijën e parë të atij fronti. nuk e di pse shkopi i gomës më zgjodhi vetëm mua, gazetarët kanë qenë në mes të protestuesve s'kishte kënd të përcaktuar për gazetarët dhe as një kordon të veçantë që të përcaktonte kufirin mes forcave speciale dhe policisë. Pasi kam vendosur duart tek barriera e hekurit, policia kishte marrë urdhër të shtynte barrierën dhe aty filloi...Kam marrë goditje në krahun e majtë dhe të djathtë të shpatullës...ajo që mund të ishte vdekjeprurëse nëse do ishte pak centimetra më lart, ishte goditja që mora në kokë, mund të më merrte shikimin. Kishim të bënim me një skemë të qartë nga ana e këtyre forcave për të më goditur.

Anëtari i forcave speciale që më goditi erdhi nga radha e dytë e forcave të policisë...erdhi nga pjesa e prapme dhe jo nga pjesa ballore. Dhe pasi më goditi ai u tërhoq, dhe korridori i policëve sërish e mbuloi atë për të mbuluar aktin e dënueshëm dhe barbar të asaj goditje nga ana e tij. 

Vizitën e Ardi Veliut e mora si një ndërhyrje për një lloj mirëkuptimi për atë që kishte ndodhur. Më tha për të pyetur për situatën shëndetësore, i shpjegova se u godita nga një shkop hekuri, ai ndërhyri dhe më tha që shkopi i gomës nuk shkakton shembje në kokë. Aty e kuptova që vizita e zotërisë nuk kishte për qëllim që të dënonte dhunën, të distancohej nga dhuna, por për të manipuluar të vërtetën. 

Kam qenë, jam dhe mbetem gjithmonë, gazetar, përpara se të jem anëtar i një partie. Do vazhdoj të jem i tillë sa kohë të kem mundësi fizike dhe mendore. 

Bledi Kasmi, kryeredaktor i RD

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:00
Debat për lëndimin e gazetarit të RD në protestë, deputetja e PS nxjerr fotot e viktimave të 21 janarit

Komisioni Parlamentar i Medias debatoi sot për protestën e 26 majit të opozitës, ku mbeti i lënduar kryeredaktori i RD, Bledi Kasmi. Ky i fundit raportoi përpara deputetëve duke akuzuar policinë se e goditi qëllimisht atë. Ai tha se në ballë të protestës nuk ndodhej si militant, por duke bërë detyrën.

Në kulmin e këtyre debateve, pasi nga ana tjetër maxhoranca akuzoi opozitën dhe gazetarin se ishin pjesë të protestuesve të dhunshëm përpara Ministrisë së Brendshme, nuk munguan as fyerjet mes deputetëve. Ishte socialisti Fidel Ylli i cili hoqi paralele me 21 janarin ku u vranë 4 protesutes, mbeti i plagosur një gazetar, ndërsa 4 të tjerë u shpallën nga ish-kryeministri Sali Berisha si puçistë të tentativës për rrëzimin e pushtetit me dhunë.

Ndërsa deputetja socialiste, Adelina Rista, mbante në duar dy foto me portretet e 4 viktimave të 21 janarit, si dhe qirinj e lule në vendin ku ata u vranë nga plumbat e Gardës së Republikës.  


(Deputetja e PS, Adelina Rista nxjerr foton me portretet e viktimave të 21 janarit)

Ora 12:07
Socialistët kujtojnë '21 janarin', irritohen demokratët, përplasje mes Boçit, Vokshit dhe Yllit/Debati i plotë

Raportimi i kryeredaktorit të RD, Bledi Kasmi, për lëndimin që mori në protestën e 26 majit, është shoqëruar me debate të ashpra mes maxhroancës dhe opozitës. Shumica parlamentare i është rikthyer 21 janarit të 2011-ës ku mbetën të vrarë 4 protestues të opozitës si dhe u plagos gazetari Fatos Mahmutaj. 

Pikërisht kjo ka acaruar demokratët në komision të cilët nga ana tjetër akuzuan kryeministrin Edi Rama se ushtroi dhunë në protestën e 26 majit. Pas raportimit të Kasmit, deputeti socialist, Fidel Ylli kërkoi fjalën, por Vokshi i kërkoi të priste radhën. Ylli përmendi protestën e 21 janarit ku siç tha ai u plagos një gazetar, ndërsa katër kolegë të tjerë të tij u shpallën nga Sali Berisha puçistë pse ndodheshin në ambientet e një kafeje përballë Kryeministrisë.

Por i menjëhershëm ishte reagimi i Luçiano Boçit dhe gjatë debatit me Fidel Yllin ata i drejtohen njëri-tjetrit me fjalët 'rrugaç', 'halabak' dhe 'ordiner'.

Debati te komisioni i Medias:

Fidel Ylli: Kam 40 minuta që dëgjoj dhe nuk ndërhyra, tani dua fjalën. A ka mundësi të flas?

Albana Vokshi: Ule zërin, ti mua nuk më bërtet. Distancohuni nga dhuna, e ka thënë edhe BE. Keni 24 ditë kohë, këshillojeni kryeministrin që të fillojë dhe të plotësojë kriteret, të mos ushtrojë dhunë, të mos mbyll portalet, distancohuni nga dhuna. 

Ylli: Berisha shpalli puçistë katër gazetarë dhe i thirri në komision dhe hyri në lokal dhe i nxori me dhunë.

Vokshi: Ore po turp i madh, ai është me kokën e çarë ju vazhdoni akoma fajin e ka Saliu? Ça po thua, i ra gurit me kokë?

Fidel Ylli: Kjo është dhuna që i bëni ju si opozita mazhorancës në komision, unë ju dëgjova me vëmendje, i uroj shërbim të shpejtë gazetarit, kam pasur lokal që quhej bar “West” që rrinin gazetarët dhe i respektoj maksimalisht ata. Nuk kujtoj Saliun e parë apo të dytë, por kur qeveria e tyre i thërriti gazetarët puçistë, gazetari në fjalë urdhëroni te RD çfarë shkruan. Ky gazetar, shikojeni, dështojnë puçistët. Nuk ma mbyllni dot gojën mua, gazetari juaj nuk është gazetar.

Boci: A është për ty ajo?

Ylli: Mbylle gojën e rri urtë se me mua e ke të humbur.

Vokshi: Shumë mirë bëre, bravo, trego protestën e fundit dhe dhunën.

Ylli: Urdhëroni shkrimin këtu, ja ku i keni shkrimet.

Vokshi: Bini me këmbët tuaja, kush ta ka dhënë këtë është për Edi Ramën?

Vokshi: Mos bërtisni ju mo, kujt i bëni arrogantin këtu, ca jeni ju, ofendime ky? Çfarë thoni mo, o Fadil kujt po i bërtisni ju, ca kujton?

Ylli: Katër të vrarë në bulevard. Ju jeni vrasës.

Vokshi: Ul zërin, kë shantazhoni?!

Ylli: Ça i bëra, foli 40 minuta. Mos më ndërprit halabak.

Boçi: Ik mor legen.

Vokshi: Do flasësh apo të heq fjalën?

Ylli: Kujt ia heq, as ma heq fjalën ti.

Vokshi: Fol për dhunën aty, a do flasësh apo jo?

Ylli: Po nuk më le të flasë, sepse ju djeg.

Vokshi: Kujt i djeg, po ju shket pushteti nga këmbët, nuk na thoni dot ju neve vrasës, merr vesh, i ke vrarë ti bashkë me ata që ke mashtruar, nuk ju vjen rëndë.

Ylli: Po s’ma heq fjalën ti, duhet të dish një gjë që fjalët më të pista të miat janë më fal dhe të lutem, po të më thotë mua kolegu jot halabak, as ke shans të me heqësh fjalën ti.