Kleo Vrioni, do të mbushte 25 vjeç më 6 tetor. Ai jetonte në Ponte San Pietro, në Itali, që prej moshës 18-vjeçare. Punonte murator dhe banonte me qira në një apartament modest në rrugën “Garibaldi”, shumë pranë bashkisë, aty ku Sara Brugnatelli, një 26-vjeçare italiane nga Erbusco që punon në një market për kafshët në Curno, vinte shpesh.

U dashuruan dhe zgjodhën që historinë e tyre ta çojnë në një tjetër stad. U martuan të dielën, në Shqipëri, aty ku vetëm tre ditë më pas vdiqën në aksidentin tragjik në Manëz të Durrësit rreth orës 2 të mëngjesit.

Ervist Myrtaj, një 21 vjeçar shqiptar dhe fqinj i viktimës, ende nuk mund ta besojë atë që ka ndodhur

"Vëllai im, i cili punoi me Kleon dhe tani është duke shkuar në Shqipëri për funeralin”, tregon ai.

Vrioni me bashkëshorten italiane po ktheheshin nga një festë në një lokal nate bashkë me tre persona të tjerë. 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri vdiq me ta, një 16-vjeçar është në gjendje kritike dhe një tjetër 25-vjeçar është shtruar në spital në Tiranë.

“Nuk e dimë se kush ishin personat me ta, mendojmë se ishin kushërinj ose ndoshta thjesht miq", thotë fqinji 21-vjeçar në Itali.

I riu tregon se nuk e dinte që Kleo dhe Sara ishin martuar të dielën.

"Kleo as nuk na kishte treguar për dasmën; ndoshta ata preferonin ta mbanin private. E njihja prej një viti e gjysmë. Darkonim bashkë, ndonjëherë dilnim në bar. Atij i pëlqente peshkimi. Sara nuk jetonte këtu, ajo qëndronte disa ditë dhe pastaj kthehej në Erbusco tek i ati. Në një rast, ajo na tha se ai ishte i sëmurë dhe se duhej të kujdesej për të. Në Bergamo, Kleo kishte një vëlla, tani në burg. Ai la pas edhe prindërit dhe një motër. Përpara se të transferohej në Via Garibaldi, ai kishte jetuar për disa vjet në Via Sant'Anna", tregon Myrtaj.

Kleo Vrioni dhe bashkëshortja e tij italiane, Sara Brugnatelli, humbën jetën në një aksident tragjik në Manëz të Durrësit, bashkë me 15-vjeçarin Alvi Muhaxhiri një ditë më parë. Aksidenti ndodhi rreth orës 02:22, në një rrugë dytësore në Manëz. Të rinjtë po ktheheshin nga një lokal nate në Maminas.

Report Tv siguroi videon e momentit kur BMW humb kontrollin në një kthesë del në anë të rrugës duke ngritur një re pluhuri dhe më pas përplaset me një mur betoni, duke u përmbysur.  Trajektorja e makinës dallohet kryesisht nga dritat e automjetit. Në momentin e fundit, duket sikur Kleo Vrioni frenon, por nuk është aq e qartë; gjithçka zhvillohet në pak sekonda.

Automjeti po lëvizte me shpejtësi shumë të lartë, dyshohet nga 115 deri në 130 km/orë, para se të përplasej me një bordurë dhe të përmbysej. Paraprakisht dyshohet gjithashtu  se 25-vjeçari mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit, por policia ende nuk ka një përfundim zyrtar të ekspertizës.