Luis Miguel Varela Mendes, 20-vjeçari me shtetësi portugeze, por me banim në Francë, mbeti i vrarë në Ksamil, duke u gdhirë e marta e 18 gushtit. Në Shqipëri, kishte mbërritur vetëm dy ditë para se t’i merrej jeta, më 16 gusht, bashkë me 8 miq të tij nga Franca, shumica bashkëmoshatarë. Me ta do të kalonte disa ditë pushimi në një nga zonat më të bukura bregdetare në jugun e Shqipërisë dhe më 26 gusht siç Report Tv mëson, do të udhëtonin drejt Spanjës, sërish për pushime.
Mbrëmjen e 17 gushtit miqtë iu bashkuan një feste me Dj francezë në klubin e kompleksit luksoz në Ksamil, “Principote”. Pas orëve të tëra mes muzikës e festës, të rinjtë dolën nga klubi me batuta mes njëri-tjetrit. 3 francezë të tjerë jashtë grupit të tyre, ndoshta nën efektin e alkoolit, ndërhynë duke u thënë, se nëse kanë ndërmend të debatojnë, të zihen me grushte, ose ndryshe të largohen.
Në mesin e kësaj situate disi të tensionuar me tone të ngritura, burime policore thanë për Report Tv, se në skenë hynë punonjësit e “Principote”, pritësit e turistëve (hostess) Davidi Heurtevent, shqiptar me nënshtetësi britanik dhe Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, të dy 29-vjeçarë. Ata u kërkuan grupeve të turistëve të ulnin zërin dhe të mos bënin zhurmë dhe i ofenduan.
I pari që goditi në kokë portugezin ishte Davidi Heurtevent, i shpallur në kërkim policor. Më tej, Sokrat Vata, e goditi me thikë 20-vjeçarin, i cili humbi jetën në vendngjarje, në një shezlong në plazhin fare ngjitur me klubin e natës së “Principotes”.
Sokrat Vata u arrestua në Levan, i fshehur në bagazhin e makinës së një çifti turk, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak, të cilëve siç burimet thonë, mund t’i ketë ofruar edhe para për ta çuar drejt Tiranës. Me ta kishte krijuar njohje pasi ishin klientë të rregullt në kompleksin turistik në Ksamil.
Gjatë marrjes në pyetje, Sokrat Vata pranoi se sherri nisi për zhurmën por pretendoi se thikën e kishte portugezi, të cilit ia mori nga dora dhe më pas e goditi.
4 kamerierë, të cilët u arrestuan, ndërhynë në sherr kur panë të përfshirë dy punonjësit e tjerë të kompleksit, por janë larguar prej aty përpara se i riu të goditej me thikë. Miqtë francezë treguan me detaje në polici të gjithë situatën.
4 truproja të kompleksit në Ksamil u arrestuan dhe pezulluan nga detyra, Miosid Matushaj, oficer policie ne Gjirokastër, Luciano Seferi, punonjës i burgut të Fierit, Romeo Shehu, polic bashkiak në Gjirokastër dhe Kristi Koshi. Ata nuk ndërhynë për të parandaluar ngjarjen, dhe as njoftuan policinë.
Në ambientet e lokalit, në momentin e ngjarjes, ndodhej edhe pronari Bekim Bulica, i cili është larguar pa e kallëzuar krimin në polici.

Ky djalosh është Luis Miguel Varela Mendes, turisti 20-vjeçar portugez që u vra me thikë në orët e para të 18 gushtit në Ksamil, pas një konflikti në lokalin “Principote” që i mori jetën në mënyrë të tmerrshme.
20-vjeçari kishte mbërritur në Ksamil dy ditë para ngjarjes së bashku me një grup turistësh francezë dhe planifikonin të largoheshin drejt Spanjës më 26 gusht. Pas një sherri të dhunshëm në ambientet e Beach Bar-it ai përfundoi i vrarë me thikë dhe u braktis për disa orë në shezlongët e plazhit. Për vrasjen e tij është arrestuar Sokrat Vata nga Hasi.

Qeveria e Portugalisë po ndjek rastin e vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, i cili u gjet në orët e para të së martës pranë plazhit të bar 'Principotes' i vrarë me thike.
Media portugeze “Renascença” shkruan se Ministria e Jashtme portugeze është vënë në kontakt me autoritetet shqiptare, por deri tani nuk ka informacion zyrtar për atë që ka ndodhur dhe për veprimet e ndërmarra nga autoritetet në Tiranë.
Raquel Trindade, nga zyra e ministrit të Jashtëm të Portugalisë, tha për “Renascença” se rasti po ndiqet përmes ambasadës portugeze në Romë dhe konsullatës së nderit në Tiranë.
“Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek rastin e këtij shtetasi portugez që humbi jetën në Shqipëri dhe, përmes ambasadës sonë në Romë, si dhe konsullatës së nderit në Tiranë, po e ndjekim çështjen me autoritetet vendase. Për momentin, ende nuk e dimë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Nga mediat lokale dimë se ka pasur arrestime, por për momentin ende nuk kemi informacion përmes rrjetit tonë që mund ta përcjellim. Ministria e Punëve të Jashtme do të vazhdojë të ndjekë gjithçka që është e nevojshme, si me autoritetet vendase, ashtu edhe me familjarët”, tha Raquel Trindade për “Renascença”.
Sipas “Renascença”, duke iu referuar mediave shqiptare, 11 persona janë arrestuar në lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit portugez.
Media portugeze shkruan gjithashtu se i dyshuari kryesor për goditjen me thikë është një 29-vjeçar, i cili ka precedentë në Mbretërinë e Bashkuar për vepra që lidhen me trafik droge, armëmbajtje dhe drejtim të rrezikshëm të automjetit.

Foto: Sokrat Vata
Është zbardhur dëshmia e Sokrat Vatës, 29-vjeçarit që vrau me thikë portugezin 21-vjeçar një ditë më parë në Ksamil.
Sipas Vatës sherri nisi për zhurmën. Ai ka dëshmuar se thikën e kishte turisti portugez, të cilit ia kishte marrë nga dora dhe më pas e kishte goditur.
Ndërkohë të rinjtë nga Portugalia dhe Franca kanë deklaruar para grupit hetimor se nuk e kanë parë skenën e krimit por e kanë mësuar kur ka mbërritur Policia.









Komente
Komento