Është nxjerrë nga thellësia e minierës së Tërnovës trupi i pajetë i minatorit 40-vjeçar Ilir Kalaveri, i cili një ditë më parë ra në një furnelë dhe u mbulua nga kromi në malin e Tërnovës, në Bulqizë.
Aksidenti i rëndë ndodhi mesditën e së shtunës, teksa 40-vjeçari nga Burreli i punësuar si minator në një subjektin privat “Eternal Security” - me pronarë Lahim Gjikën dhe Halil Gjikën - ra në furnelë gjatë procesit të punës.
Grupet e kërkim-shpëtimit dhe shërbimet e Policisë prej orësh vijuan operacionin për lokalizimin dhe nxjerrjen e tij, por fatkeqësisht 40-vjeçari u gjet i pajetë. Ndërkohë grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Bulqizë/Informacion shtesë-Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, bëjmë me dije se, pas kërkimeve intensive të kryera nga ekipet e kërkim-shpëtimit, shërbimet e Policisë dhe personeli teknik i subjektit minerar ku ndodhi aksidenti, u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit të pajetë të shtetasit I. K., 40 vjeç, banues në Klos, i cili kishte rënë në një furnel gjatë procesit të punës, në vendin e quajtur Tërnovë e Madhe, bashkia Bulqizë, dhe mbeti i bllokuar nga materiali i kromit.
Trupi i pajetë do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Tiranë, për kryerjen e ekspertimit mjekoligjor.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
-
Ngjarje e trishte,s.d.q policia nga e cila keni marre info.e ngjarjes e ka gabim fjalen /furnel/.Furnel eshte nje mjet qe perdoret per gatim.Fjala e sakte duhet te ishte /funel/,vjen nga anglishtja /funnel/ dhe perdoret per te identifikuar nje strukture qe perdoret ne miniera,por dhe per shtellungen e tornadove,pasi kane te dyja formen e tubit,ose oxhakut.
Përgjigju











Komente
Komento