ELBASAN - Superliga shqiptare e futbollit mbylli të hënën raundin e 33-të. Në 'Elbasan Arena' vendasit e AF Elbasanit fituan 3-1 kundër Vllaznisë në një ndeshje me shumë raste dhe emocione, teksa afro 8 mijë tifozë kishin mbushur shkallët e impiantit. Blaise Tsague shënoi për AF Elbasanin pas 22 minutave lojë, para se i përhershmi Xhonatan Lajthia të dyfishonte në fundin e pjesës së parë. Vllaznia u kujdes të rihapte sfidën me golin e Klinti Qatos në minutën e 73-të, por sërish Lajthia me një supergol 'vulosi' fitoren 3-1 të vendasve, çka bëri që AF Elbasani me 62 pikë të marrë kreun e renditjes, dy pikë më shumë se Vllaznia.

Pas ndeshjes dëshpërimi ishte i dukshëm te shkodranët dhe këtë e reflektoi trajneri Edi Martini. Ai tha për mediet se ekipi i tij dominoi dhe AF Elbasani fitoi falë disa gabimeve individuale të të besuarve të tij. Martini është shpresëplotë se gara në 'Final 4' do të jetë shumë e fortë për titullin kampion.

"Vllaznia mundi vetveten në një formë? Gjynah, bëmë disa gabime elementare. Dominuam lojën nga fillimi deri në fund, humbën shumë raste, duhej t’i shfrytëzonim. Mungesë përqëndrimi, të vjen keq sepse të dominosh në 90 minuta me raste pa fund, edhe në ditë të mirë të portierit të Elbasanit, bravo i qoftë. Kështu që rezultati të vret. Megjithatë, gjithçka është e hapur.

Sa dhemb kjo humbje? Kemi qenë gjithë kohën në kryesim të kampionatit, sot jemi dy pikë mbrapa. Kemi edhe tre javë për të mbyllur kampionatin, shpresojmë të kapim vendin e parë prapë. Normalisht që na dhemb si humbje, por do ecim para.

Java më e vështirë e Vllaznisë? Eliminimi nga Kupa dhe humbja e sotme (djeshme) normalisht janë dy rezultate që të them të drejtën nuk i prisnim, aq më tepër sot (dje) në mënyrën se si luajtëm. Ishim superior në të gjitha drejtimet me Elbasanin, por ajo që vlen janë pikët, nuk ka rëndësi loja. Duhej të ishim më të kujdesshëm, më pragmatistë, më të përqendruar dhe të fitonim këtë takim.

Gabimet në këtë ndeshje? Janë gabime individuale, që në një moment papërqëndrimi si në rastin e golit të parë, edhe të dytë, individuale, që duhet të jemi më të përqendruar, të jemi më pragmatistë kur kemi topin, të organizohemi më mirë se janë gola që ia dhuruam.

Garë dyshe për titullin? Fus edhe Egnatian, janë tre ekipe në garë për titullin. Gjithsesi po vjen fundi, do mbetet deri në ndeshjen finale.

A zbehen shanset e Vllaznisë pas kësaj humbjeje? Jo, absolutisht. Po të përgjysmoheshin pikët sot, do ishin 1 para. Janë edhe tre ndeshje në këtë fazë, tre të tjera për të mbaruar, janë edhe 6 ndeshje që do të thotë 18 pikë në lojë kështu që gjithçka është e hapur. Siç ishim ne këtë javë në vend të parë, mund të jemi edhe ne përsëri, ndaj do të vazhdojmë, nuk do e lëshojmë në asnjë moment”, tha Martini për mediet pas ndeshjes.

Pas këtij raundi AF Elbasani me 62 pikë merr kreun e renditjes, ndërsa ndiqet nga Vllaznia me 60 pikë, Egnatia me 54 pikë dhe Dinamo e Partizani me nga 45 pikë. AF Elbasani, Vllaznia dhe Egnatia janë tre skuadrat që e kanë siguruar zonën 'Final 4', për mini-turneun që në fund të 36 raundeve të rregullta do të zhvillohet për të vendosur ekipin kampion në Superligë.