Lezha i ka dhënë lamtumirën e fundit koreografit të njohur Gazmend Golemi, i cili u nda nga jeta në moshën 62 vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.

Homazhet në nderim të tij u mbajtën në ambientet e Pallatit të Kulturës "Ded Ndue Lazri", institucioni ku ai krijoi dhe realizoi veprimtarinë artistike për më shumë se 45 vite, duke lënë pas një trashëgimi të pasur me vlera të jashtëzakonshme koreografike.

Miq, bashkëpunëtorë, përfaqësues të pushtetit vendor, politikanë dhe qindra qytetarë ju bashkuan homazheve duke i dhënë Gazmend Golemit lamtumirën e fundit.

Gazmend Golemi ishte autor i dhjetëra valleve identifikuese dhe krijimeve që përfaqësuan Lezhën dhe Shqipërinë në festivale të shumta folklorike brenda dhe jashtë vendit, ku u vlerësua edhe me çmime. Ai konsiderohet një ikonë e artit lezhjan dhe më gjerë, duke lënë pas një pasuri të madhe artistike.