Një 36-vjeçar nga Tirana është arrestuar në Gjakovë, pasi dyshohet se tentoi t'u jepte 50 euro ryshfet dy efektivëve të Policisë së Kosovës që e kishin ndaluar për një kundërvajtje në trafik. Lajmi është bërë publik nga media kosovare Sinjali.

Sipas Sinjalit, i dyshuari është Glejdis Spahiu, banues në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 17 gushtit, në rrugën "Nëna Terezë" në Gjakovë.

Spahiu po drejtonte një automjet tip BMw me targa shqiptare, kur u ndalua nga një patrullë policore për një shkelje të rregullave të qarkullimit. Gjatë dorëzimit të dokumenteve personale, 36-vjeçari dyshohet se u dha efektivëve edhe një kartëmonedhë prej 50 eurosh. Policët e paralajmëruan se veprimi ishte i kundërligjshëm, por, sipas dosjes së rastit të cituar nga Sinjali, ai dyshohet se nguli këmbë që ata t'i merrnin paratë.

Pas kësaj, Spahiu u arrestua nën dyshimin për veprën penale "Dhënia e ryshfetit", ndërsa kartëmonedha prej 50 eurosh u sekuestrua si provë materiale.

Rasti është marrë në hetim nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë. Sipas Sinjalit, Prokurori kujdestar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë ka urdhëruar ndalimin e 36-vjeçarit për 48 orë.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë