Gjykata e Fierit ka shpallur fajtor 3 autorët e përdhunimit dhe vrasjes së Drita Saliaj në fshatin Gjerbës të Mallakastrës, krimi që tronditi vendin për shkak të makabritetit të kryer dhe moshës së vogël të autorëve të këtij krimi.
Ervis Zotaj, deklarohet fajtor me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasja me dashje e kryer në mënyrë të tillë që i shkakton mundime të veçanta viktimës”, e kryer në bashkëpunim dhe për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”.
Ndërsa L.Saliaj dënohet me 17 vite burg për të njëjtat vepra penale si Ervis Zotaj.
Ndërsa S.Shehaj, i cili dënohet me 16 vite burg, i janë shtuar 3 akuza të tjera, për “vjedhje”, “drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Më 5 janar të vitit 2020, viktima Drita Saliaj, u përdhunua dhe më pas u mbyt me peshqir e mandej u hodh e pajetë në ujërat e rezervuarit të fshatit.
Ngjarja macabre ndodhi në fshatin Gjerbës të Mallakastrës, ku një 16-vjeçar dhunoi e vrau nusen e xhaxhait, me dy shokë të tij me të cilët kishte hyrë në banesë për ta grabitur. Drita Saliaj u gjet e pajetë në rezervuarin e fshatit dy ditë pas ngjarjes, nga polumbarët e forcave RENEA.
Nipi i bashkëshortit të 50-vjeçares, (djali i vëllait), L.Saliaj së bashku me dy të rinj, shokë të tij, S.Shehaj 16 vjeç banues në Çërrillë dhe Ervis Zotaj 26 vjeç banues në Gjerbës, të tre të arestuar, kanë shkuar në banesën e 50-vjeçares për të grabitur. Gruaja i ka shërbyer edhe kafe djalit të kunatit dhe shokëve të tij, siç mëson Shqiptarja.com, por më tej e kanë goditur dhe dhunuar, ndërsa më pas e kanë lidhur dhe e kanë hedhur në rezervuarin e Lumarës, 3-4 kilometra larg shtëpisë së saj, ku dhe u gjet e pajetë një ditë më pas.
Në orët e para të mëngjesit, në Komisariatin e Policisë Mallakastër u paraqitën familjarët e 50 vjeçares, të cilët denoncuan largimin nga banesa të Drita Saliajt. Me nisjen e hetimeve pas marrjes së denoncimit u zbulua e gjithë skema e krimit të rëndë.
Të rinjtë e pranuan autorësinë e krimit, në prani të psikologut dhe avokatit, ndërsa u shprehën se gjithçka e nisën për t'i grabitur lekët por se situata u doli jashtë kontrollit. Babai i 16-vjeçarit, kunati i së ndjerës ndodhej në burg për drogë, ndërsa nëna e tij atë ditë kishte shkuar tek prindërit e saj.
Sipas dinamikës së ngjarjes, Drita Saliaj, i ka pritur në banesën e saj tre autorët, ku njëri prej tyre L.Saliaj e kishte nipin e burrit. Tre autorët dhe viktima kanë ngrënë bukë së bashku, pasi në tavolinë, janë gjetur nga policia 4 pjata me ushqim dhe një gotë ujë.
Sipas rrëfimit të nënë e bir në polici, Drita Saliaj, jetonte e vetme, pasi të shoqin dhe fëmijët i kishte jashtë shtetit në emigracion dhe për këtë zhdukje, akuzonin, Ervis Zotaj nga fshati Gjerbës dhe S.Shehaj nga fshati Çerrile. Vetë L.Saliaj ka treguar para policëve detaje nga ky krim i rëndë, detaje që më pas kanë ndryshuar pozicionin e tij në këtë çështje, ku nga dëshmitar ai është marrë në përgjegjësi penale, pasi rezulton të ketë bashkëpunuar me dy autorët e tjerë.
Më tej 16-vjeçari ka treguar si më poshtë:”...kam dalë nga shtëpia e gjyshit dhe kam shkuar në autostradë, ku kam pritur në këmbë, derisa aty erdhi S. Shehaj, me automjetin e tij, ku me vete kishte marrë edhe Ervisin. Hipa në makinën e S.Shehaj dhe Ervisi, i cili ishte pasagjer në vendin e parë të makinës, dhe më tha që “...do të ikim të marrim hashash në shtëpinë e Dritës, gruas së Hair Saliaj...Sqaroj se Drita Saliaj është gegeja ime, pasi i shoqi i saj Hair Saliaj është kushëri i parë me babanë tim”.
Më tej në rrëfimin para oficerëve dhe një prokurori të seksionit të të miturve në prokurorinë e Fierit, L.Saliaj, ka treguar se si më poshtë: “unë i thashë, S. Shehaj dhe Ervisit, mua mos më ngatërroni me këto gjëra, por Ervisi më qëlloi me pëllëmbë në fytyrë duke më sharë ...mbylle gojën se të q... robt...”.
Kur erdhëm në fshatin Gjerbës, rreth orës 00:30, u afruam te shtëpia e Dritës, duke i rënë nga rruga prapa shtëpisë së saj, ku mua më lanë te puseta që ndodhet 20 metra pas shtëpisë së Dritës, ndërsa vetë S.Shehaj me Ervisin, e kanë lënë makinën e tyre te porta e vogël, pas shtëpisë së saj. Ervisi me S.Shehaj kanë hyrë në avllinë e shtëpisë së Dritës, dhe kanë trokitur te dera e shtëpisë, ku unë pashë dhe dëgjova që Ervisi i ra derës dhe i tha nga jashtë:“...Drita jam unë, Visi...”. Drita më pas ka hapur derën nga brenda shtëpisë së saj dhe ata të dy kanë hyrë brenda, ku kanë qëndruar afro gjysmë ore në shtëpi. Më pas, kam parë që Ervisi me S.Shehaj, e kanë nxjerrë Dritën të lidhur nga duart prapa dhe këmbët me spango. Unë, pasi i pashë se çfarë po bënin Ervisi me S.Shehaj , u kam folur nga puseta ku isha: “...Çfarë po bëni kështu...”, por Ervisi më tha:“...hajde këtu poshtë...”. Unë kam vajtur te vendi ku ishte makina e tyre dhe në kohën që po fusnin Dritën, të lidhur brenda në makinë, u them edhe një herë: “...Çfarë po bëni ore, çfarë bëni....?”, por Ervisi më godet me shqelm duke më rrëzuar përtokë dhe duke më sharë më thotë fjalët: “...do ta vrasim, prandaj mbyll gojën të q... robt dhe dil me vrap te kodra sipër....”.
Në atë moment, që ata po fusnin Dritën brenda në makinë, pashë që Drita kishte të veshur një bluzë si të kuqe dhe pantallona me ngjyrë të zezë. Pasi e futën Dritën të lidhur në sediljen e pasme të makinës së S.Shehaj, ai u ul në sediljen e shoferit, ndërsa Ervisi u ul në sediljen e parë të pasagjerit dhe u larguan me automjetin e tyre në drejtim të liqenit të Çerjes. Sqaroj se liqeni i Çerjes ndodhet pas liqenit të Lumare 1 dhe Lumare 2, dhe unë i pashë që po shkonin në drejtimin e lartpërmendur nëpërmjet dritave të makinës së S.Shehaj .
Më pas, unë jam larguar i vetëm në këmbë në drejtim të Povlës dhe pas afro një orë, S.Sheaj me Ervisin më gjetën në rrugë duke ecur te benzinata në Povël dhe më kanë kërkuar që të hipja në makinën e tyre. Më pas më kanë çuar te lokali 24-orësh në Poçem, ku edhe më kanë zbritur. Kur më zbritën, Ervisi më tha fjalët: “...mos më dil më përpara syve...” dhe së bashku me S.Shehaj, u larguan për në drejtim të rrugës së Hekalit, që shkon për në Ballsh. Unë më pas kam pirë i vetëm kafe te lokali 24-orësh në Poçem dhe rreth orës 05:30 ka ardhur përsëri S.Shehaj me automjetin e tij te lokali 24-orësh në Poçem. Kam hipur në makinën e tij. Në atë moment, S.Shehaj më tha që “...Ervisin e lashë në Hekal...”, pasi atje kishte lënë makinën e tij.
Më pas S.Shehaj i më çoi te shtëpia e gjyshit tim në Roms dhe pas kësaj, ai u largua. Që nga ai moment që S.Shehaj më çoi te shtëpia e gjyshit e unë nuk jam takuar dhe nuk kam komunikuar as me S.Shehaj dhe as me Ervisin. Në mbrëmjen e datës 6 janar 2020, unë i kam thënë nënës sime, se çfarë kishte ndodhur me Dritën dhe pas kësaj, nëna komunikoi me xhaxhanë tim R.Saliaj që jeton në Fier dhe të tre më pas kemi vajtur për të informuar për ngjarjen e ndodhur te Komisariati i Policisë Mallakastër”.