DURRËS - Teuta ka reaguar zyrtarisht ndaj spekulimeve të fundit për ndryshime në pankinë, duke hedhur poshtë lajmet që e lidhin klubin me trajnerin Edlir Tetova, i cili do të largohet nga Egnatia në fundin e këtij sezoni.
Në një deklaratë për mediet, klubi durrsak thekson se trajneri aktual, Enkeleid Dobi, është nën kontratë dhe marrëveshja do të respektohet plotësisht nga të dyja palët.
Drejtuesit e Teutës kanë dënuar ashpër raportimet që flasin për një akord të mundshëm me një trajner tjetër, duke i cilësuar ato si spekulime të pabazuara dhe dashakeqe që synojnë të dëmtojnë imazhin e klubit dhe të prishin qetësinë në skuadër.
Klubi thekson se fokusi i vetëm mbetet te objektivat sportive dhe përfundimi sa më i suksesshëm i sezonit, ndërsa garanton tifozët për seriozitetin dhe vazhdimësinë e projektit.
Në fund, Teuta bën thirrje për mbështetje në prag të ndeshjes së rëndësishme ndaj AF Elbasanit, duke e cilësuar atë një sfidë vendimtare për ecurinë e ekipit.
Reagimi i plotë i KF Teutës:
KF Teuta kërkon të sqarojë tifozët dhe opinionin publik se trajneri Enkeleid Dobi është nën kontratë me klubin dhe palët do të respektojnë marrëveshjen e firmosur në fillim të sezonit.
Dënojmë me forcë zërat se klubi ka rënë dakord me një trajner tjetër dhe hedhim poshtë këto spekulime të shëmtuara të publikuara në disa media.
Këto shkrime dashakeqe synojnë të minojnë seriozitetin e klubit dhe të shpërqendrojnë ekipin nga objektivat sezonalë.
KF Teuta garanton tifozët se projekti ynë është ambicioz dhe nuk do të lejojmë askënd të përbaltë punën tonë.
Është e papranueshme që disa media të spekulojnë për ndryshimin e trajnerit pa marrë asnjë informacion nga zyrtarët e klubit.
KF Teuta është e hapur për çdo lloj pyetjeje nga gazetarët, por ata që publikojnë lajme të rreme për interesa të caktuara duhet të mbajnë përgjegjësi.
Drejtuesit e klubit dhe stafi teknik janë të fokusuar maksimalisht vetëm te fusha e blertë, me synimin për ta mbyllur me sukses kampionatin dhe për të ruajtur stabilitetin e projektit.
Ndeshja e radhës ndaj Elbasanit është një sfidë vendimtare, dhe e gjithë vëmendja është përqendruar te kundërshtari dhe përgatitja e ekipit. Ftojmë tifozët të na mbështesin në këtë moment të rëndësishëm të sezonit.
Komente









