Vedat Muriqi shkroi historinë në fundjavë në La Liga, duke u bërë futbollisti i cili ka shënuar më shumë gola me Majorkën, 55 realizime dhe la pas një emër legjendar si Samuel Eto’o. 31-vjeçari jo vetëm shënon, por edhe udhëheq ekipin në fushë, ndërsa për këtë tifozët e ekipit kërkojnë që të nominohet edhe për ‘Topin e Artë’. Mirëpo rreth 12 vite më parë Vedat Muriqi la Kosovën për të luajtur në kampionatin shqiptar me ekipin e Teutës.
“Ai ishte një lojtar i ri që kishte ardhur nga Kosova. Ishte premtues dhe flitej shumë mirë për Vedatin. Ka qenë një periudhë e shkurtër që unë e kam njohur, por ishte një lojtar me cilësi të mira teknike, mëngjarash dhe cilësi fizike të jashtëzakonshme,”-u shpreh Ilir Biturku, ish-trajner i Muriqit.
Ish-trajneri i Teutës Ilir Biturku, i cili e stërviti Vedat Muriqin për disa muaj, tregon për Report TV arsyen përse sulmuesi nuk gjeti vend te Teuta dhe u transferua në formë huazimi te Besa e Kavajës.
“Në raportin e sulmit në atë periudhë ka qenë një konkurencë shumë e madhe. Daniel Xhafa, dy të huaj Xhoel dhe Sambu, Nikaj, Çyrbja dhe Dosti. Kishte shumë lojtarë me nivel që e njihnin kampionatin dhe konkurenca ishte e madhe,”-tha Ilir Biturku, ish-trajner i Muriqit.
Biturku shprehet se Muriqi nuk ishte thjeshtë një futbollist cilësor, por në rradhë të parë nje person i mirë dhe shumë këmbëngulës.
“Plus punës, pasionit, dëshirës, sakrificës dhe përulësisë që kishte ai si person, qëndronte gjithmonë pas stërvitjes. Këto cilësi e kanë bërë që të jetë sot lojtari më i mirë i Majorkës,”-deklaroi Ilir Biturku, ish-trajner i Muriqit.
Pas huazimit te Besa e Kavajës në verën e vitit 2014 Vedat Muriqi u transferua në Turqi te Giresunspor, ndërsa më pas ngjiti majat deri te Fenerbahche. Para se të transferohej te Majorka pati një periudhë të vështirë te Lazio, ndërsa më pas erdhi shpërthimi në La Liga. Vedat Muriqi është një legjendë jo vetëm te klubi spanjoll, por edhe me përfaqësuesen e Kosovës ku deri më tani ka shënuar 32 gola.
Komente







