Këngëtarja e njohur, Fjolla Morina ka reaguar për lajmin se është arrestuar në Prishtinë. Me anë të dy fotografive të publikuara në Instastory, këngëtarja shfaqet në ambientet e biznesit të saj dhe shkruan: "Te dyqani jam".

Postimi në Instagram

Ndërsa avokati i saj, Fanol Krasniqi, sqaroi se Morina thjesht është shoqëruar në polici.

“Fjolla Morina nuk është arrestuar, ajo është shoqëruar në stacionin policor. Një zyrë e bashkëpunimit juridik në Kosovë, nuk e ka shfuqizuar urdhëresën e gjykatës e cila e ka refuzuar ekstradimin, tash po presim njoftimin, Fjolla nuk është e arrestuar”, është shprehur ai për mediat në Kosovë.

Kujtojmë se Fjolla Morina u arrestua më 19 shtator 2020 në pikën kufitare të Morinës, pasi në çantën e dorës iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me 23 fishekë, ndërsa në bagazhin e makinës iu gjet një tjetër pistoletë e llojit çakmak. Këngëtarja po udhëtonte me një makinë “Audi Q7”, mjet të cilin ia kishte dhuruar i dashuri vetëm pak ditë para vënies në pranga.

Gjykata e Kukësit kishte shpallur në kërkim Fjolla Morinën dhe i kishte vënë dënimin me 6 vite burg për armëmbajtje pa leje. Pas 10 muajsh në arrati, Fjolla u arrestua më 19 korrik në lokalin e saj në Prishtinë, ndërsa u refuzua ekstradimi në Shqipëri. Këngëtarja Fjolla Morina u lirua nga paraburgimi më 15 shtator.