Kukësi i Vjetër, qyteti që u zhyt nën ujë në vitin 1978 për t'i hapur rrugë ndërtimit të Hidrocentralit të Fierzës, është shfaqur sërish. Rënia e ndjeshme e nivelit të liqenit ka nxjerrë në sipërfaqe rrënojat e ndërtesave dhe gjurmët e qytetit që prej dekadash qëndron i zhytur nën ujë.
Ky qytet shtrihej në vendin ku bashkoheshin Drini i Bardhë dhe Drini i Zi. Në gusht të vitit 1925, qyteti u shpall qendër prefekture, duke njohur më pas një zhvillim të shpejtë ekonomik dhe urban. Tregtarë dhe zejtarë nga Prizreni, Gjakova, Shkodra dhe Gora u vendosën aty, ndërsa gjallëria e tregjeve dhe jeta qytetare bënë që Kukësi të njihej edhe me emrin “Stambolli i Vogël”.
Por fati i qytetit ndryshoi me vendimin e shtetit komunist për ndërtimin e Hidrocentralit të Fierzës. Më 31 mars 1962 u vendos përmbytja e Kukësit të Vjetër dhe ndërtimi i një qyteti të ri, rreth tre kilometra larg tij.
Themelet e para të Kukësit të Ri u hodhën më 22 korrik 1962. Qyteti i ri u ndërtua në më pak se dhjetë vjet, ndërsa banorët u shpërngulën gradualisht nga vendbanimet e tyre të vjetra. Në vitin 1978, Kukësi i Vjetër u mbulua plotësisht nga ujërat e liqenit artificial të Fierzës.
Që prej asaj kohe, rrënojat e qytetit kanë mbetur nën ujë, por dalin herë pas here në sipërfaqe kur niveli i liqenit ulet ndjeshëm. Në raste të tilla bëhen të dukshme themelet e banesave, rrugët e dikurshme, bunarët dhe pjesë të tjera të qytetit të përmbytur.
Ky fenomen ka tërhequr ndër vite edhe vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, të cilët ndalojnë për të fotografuar gjurmët e Kukësit të Vjetër.










Komente
Komento