TIRANË- Parakalimi i gabuar, i cili është bërë shkak për thyrjen e pasqyrës së një 'Audi A8' ndërmjet dy makinave, ka çuar në përplasje fizike mes dy personave mesditën e sotme (22 gusht) në rrethrrotullimin e TEG-ut.
Dy vajza shofere, kanë përplasur mjetet e tyre, përkatësisht ‘Audi A8’ dhe një makinë tip ‘Benz’, dhe më pas për të sqaruar sherrin mes tyre kanë thirrur dy të afërm që kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe janë konfliktuar me sende të forta.
Nga informacionet e para, i pari që ka mbërrit në vendin e ngjarjes ka qenë Fatjon Dauti, i cili më pas është konfliktuar me të afërmin e njërës prej shofereve, Marjo Barami.
Fatjon Dauti ka përfunduar në spital dhe po merr ndihmë mjekësore. Policia njofton se në vendin e ngjarjes ka gjetur edhe një armë zjarri, por nuk dihet se cilit prej personave të përfshirë në sherr i përket. Report Tv sjell edhe pamjet nga vendi i ngjarjes, ku dallohen mjetet luksoze të përfshira në aksident.
Në vendngjarje ndodhet policia e ekspertët e kriminalistikës për mbledhjen e provave.
“Më datë 22.08.2024, në afërsi të rrethrrotullimit të Teg-ut, dyshohet se për shkak të një konflikti të çastit për një fërkim mjetesh, janë konfliktuar me sende të forta shtetasit Fatjon Dauti, dhe Marjo Barami. Gjatë konfliktit është dëmtuar me sende të forta shtetasi Fatjon Dauti i cili po transportohet në spital për ndihmë mjekësore.Në vendngjarje është gjetur një armë zjarri dhe po punohet për identifikimin e poseduesit të saj”, njofton policia.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Lajm ne përditësim....
Pamjet e aksidentit dhe policia në vendngjarje
“Shqiptarja.com” sjell pamjet e para nga rrethrrotullimi i TEG në Tiranë, ku sot në orët e pasdites ndodhi aksidenti i lehtë rrugor, që më pas degjeneroi në një përplasje fizike mes dy personave.
Dy makinat e përfshira në aksident janë “Audi A8” dhe “Porche Cajen”, të cilat drejtoheshin nga dy vajza. Policia thotë se kemi të bëjmë me një gërvishtje mes automjeteve në lëvizje, por debati mes vajzave për gjetjen e shkaktares denigroi në përleshje fizike mes personave që ato thirrën për ndihmë.
Në pamje duket vetëm njëra nga mjetet, tip “Audi A8”, me krah të kundërt, ndërkohë efektivët e policisë po kryejnë veprimet e para hetimore dhe mbledhjen e provave dhe dëshmive, teksa pritet edhe ekspertimi auto-teknik për rastin e veçuar, pasi Policia dhe Prokuroria po hetojnë edhe për përleshjen me pasojë plagosjen e njërit prej personave.