Erjon Vishkulli, 28-vjeçari i cili mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, u paraqit këtë të mërkurë në Prokurorinë e Tiranës, ku për më shumë se 2 orë dha dëshminë e tij.

I shoqëruar nga avokati i tij, Dorian Matlija, pas marrjes në pyetje, 28-vjeçari deklaroi se kërkon drejtësi për atë që i ndodhi, ndërsa la të hapur mundësinë e pjesëmarrjes në protestën e 28 nëntorit, në varësi të gjendjes së tij shëndetësore.

“Unë kërkoj drejtësi. Mesazhin e kam dhënë në fillim. Shqipëria është e jona, e jotja, e të gjithëve. Nuk e di a do të marr pjesë në protestën e 28 nëntorit. Nuk e di si do të jem me gjendjen. Ndenja dy orë, nuk isha në gjendje dhe më lanë të dilja”, deklaroi ai.

Për të verifikuar shkakun e dëmtimit në sy, organi i akuzës është në pritje të përgjigjes së letër-porosisë dërguar autoriteteve italiane, përmes së cilës kërkohet ekspertimi i materialit të nxjerrë nga syri gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në Itali.

Vishkulli u kthye në Shqipëri më 17 nëntor, pas trajtimit mjekësor jashtë vendit. Me mbështetjen financiare të shtetit shqiptar, ai iu nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale në Itali, pas trajtimit fillestar në Tiranë.