Në një raport dërguar Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë një profil për Eric Wendt, kandidatin e propozuar nga Trump si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri.
Profili:
Gjeneral Lejtnant në pension Eric Wendt punon si Profesor i Praktikës, duke dhënë mësim mbi Komandimin dhe Lidershipin në Shkollën Pasuniversitare të Marinës (Naval Postgraduate School – NPS). Kur ishte ende në shërbim aktiv me uniformë si gjeneral me tre yje, ai ishte i angazhuar në Evropë dhe shërbeu si Komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Ai komandonte të gjitha Forcat e Operacioneve Speciale të caktuara për NATO-n (përfshirë njësitë shqiptare të operacioneve speciale) dhe ka punuar në Shqipëri me drejtues të mbrojtjes dhe ushtarakë. Më parë, ai ka shërbyer për një vit në Afganistan si Zëvendëskomandant Rajonal, ku përfshihej edhe mbikëqyrja e ushtarakëve nga Shqipëria.
Gjatë më shumë se 34 viteve shërbim aktiv, ai ka mbajtur disa pozicione të larta komanduese dhe ka drejtuar organizata me deri në mijëra personel ushtarak, civil dhe ndërinstitucional. Ai ka punuar për Departamentin Amerikan të Shtetit për dy vjet si pjesë e rëndësishme e Ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem, ku drejtoi një koalicion me tetë vende si Koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, dhe raportonte drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit. Përvoja e tij e gjerë në lidership, aftësia e provuar për të menaxhuar organizata komplekse shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe ekspertiza e tij rajonale në të gjithë Evropën e bëjnë Gjeneral Lejtnant (në pension) Wendt shumë të kualifikuar për të shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë.
Gjeneral Lejtnant (në pension) Wendt ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe një diplomë Master në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kaliforni. Ai flet gjuhën arabe e koreane. Ai është nderuar me çmime dhe dekorata të shumta, përfshirë Medaljen e Shërbimit të Shquar të Mbrojtjes, Medaljen e Shërbimit të Shquar, Medaljen e Yllit të Bronzit, si dhe Çmimin e Nderit të Lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.
Nominimi i Wendt duhet të kalojë në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe aprovimin final e jep Senati.
Shqipëria nuk ka një ambasador të SHBA-së që prej largimit të Yuri Kim në vitin 2023. Një nominim i mëparshëm nga Joe Biden për David Kostelancik nuk u miratua nga Senati. Aktualisht, ambasada amerikane në Tiranë drejtohet nga e ngarkuara me punë Nancy VanHorn.
Komente










