Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, po qëndron edhe sot në shtëpinë e tij në Prishtinë, në ditën e dytë të vizitës, edhe pse një ditë më parë u raportua se ai do të kthehej në Hagë.

Krasniqi, i cili po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po qëndron pranë familjes, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të gruas së tij.

Ai u nis sot nga selia e EULEX-it në Fushë Kosovë, ku kaloi natën, drejt shtëpisë së tij në Prishtinë, nën masa të shtuara sigurie.

Ndërkohë mediat në Kosovë bëjnë me dije se Krasniqi do të qëndrojë katër ditë në Kosovë, ku do të ketë mundësi të kalojë kohë pranë familjes së tij.

Pak javë më parë, Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë e dënuan Krasniqin me 25 vite burg për krime lufte, gjatë kohës që ka qenë një ndër drejtuesit e UÇK-së. Me 25 vite burg u dënua edhe ish-Presidenti Hashim Thaçi. Kadri Veseli u dënua me 18 vite burg, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:44
Vizita e Jakup Krasniqit në Kosovë, Haxhiu: Po kalon ditë të vështira, larg lirisë dhe në rrethana të rënda familjare, por jo i vetëm! Vijojmë betejën për drejtësi

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur dhimbjen dhe keqardhjen për ditët e vështira që Jakup Krasniqi po kalon në Kosovë për shkak të sëmundjes së bashkëshortes. Ajo shprehet se është pranë familjes Krasniqi, së cilës i uron forcë e qetësi në këtë periudhë.

Haxhiu shkruan se beteja për drejtësi do të vijojë për të kërkuar lirinë e ish-krerëve të UÇK-së.

Reagimi i plotë:

Me shumë dhimbje dhe bashkëndjenjë po e përcjellim ardhjen e bacës Jakup Krasniqi në Kosovë. Ai është kthyer për pak ditë, për të qenë pranë bashkëshortes, gjendja shëndetësore e së cilës është rënduar.

Zëri i UÇK-së gjatë luftës, Kryetari i Kuvendit që drejtoi seancën historike të shpalljes së Pavarësisë dhe atë të miratimit të Kushtetutës, një nga figurat e rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës. Sot, Jakup Krasniqi po kalon ditë të vështira, larg lirisë dhe në rrethana të rënda familjare, por jo i vetëm.

Qëndrimi im për procesin dhe aktgjykimin ndaj tij dhe të tjerëve është i njohur. Tani që çështja ndodhet në Apel, do ta vazhdojmë betejën për drejtësi dhe për lirimin e plotë të krerëve të UÇK-së.

Jam pranë Jakup Krasniqit, bashkëshortes dhe gjithë familjes së tij.

Atyre u uroj forcë dhe që këto ditë, sado të vështira, t'i kalojnë bashkë e në qetësi.

Ora 12:36
'Situatë jashtëzakonisht e dhimbshme', Kurti për vizitën e Jakup Krasniqit në Kosovë: Jemi pranë familjes në këto momente të vështira (VIDEO)

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për vizitën e Jakup Krasniqit në Kosovë. Në një deklaratë për media para nisjes së seancës së Kuvendit, Kurti tha se situata është jashtëzakonisht e dhimbshme

“Është jashtëzakonisht e dhimbshme situata e rëndë në familjen e ish-kryekuvendarit, Jakup Krasniqi dhe në këto momente të vështira natyrisht që të gjithë bashkëndjejmë me vuajtjen edhe dhimbjen dhe urojmë që gjithçka të shkojë sa më mirë që është e mundur në një situatë kur ai u dënua me 25 vjet burg me gjithë ato pasaktësi historike e faktike padyshim që të gjithë jemi pranë familjës Krasniqi”, ka thënë Kurti.