Gjykata Administrative e Apelit ka marrë në shqyrtim këtë të enjte kërkesën e një prej kandidatëve për postin e drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Gentian Ndoi, i cili ka kundërshtuar zgjedhjen në krye të këtij institucioni të Joni Ketës.
Me argumentin se ai është renditur i pari me më shumë pikë në vlerësimin e bërë nga Komisioni Përzgjedhës i ngritur nga Prokuroria e Posaçme për vlerësimin e kandidaturave, Ndoi pretendon se posti i takonte atij. Për këtë arsye, ai ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të 19 dhjetorit të vitit të kaluar, me anë të të cilit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëroi Drejtuesin e BKH-së.
Një tjetër kërkesë e tij është edhe shfuqizimi i shkresës dhe raportit të dërguar nga Komisioni i Përzgjedhjes, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, në bazë të të cilit rekomandohej Joni Keta si kandidat për drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Sipas Ndoit, këto janë akte të marra në kundërshtim me ligjin material dhe procedural, të paarsyetuara dhe, për rrjedhojë, absolutisht të pavlefshme.
Ligji nuk parashikon që kandidati që merr më shumë pikë, propozohet automatikisht si Drejtor i BKH-së. Renditja sipas pikëve të vlerësimit nuk përbën një kusht për përzgjedhjen e drejtuesit.
Megjithatë Ndoi, ka kërkuar edhe që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta emërojë atë si drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe, për këtë arsye, të detyrohet edhe kjo e fundit t’i paguajë pagën e drejtuesit duke filluar nga muaji dhjetor e në vijim.
Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet më 7 prill, kur priten konkluzionet përfundimtare dhe më pas vendimi i gjykatës.
Një kërkesë të ngjashme Gentian Ndoi ia ka drejtuar edhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por ky i fundit nuk e ka marrë në shqyrtim, me argumentin se propozimi i kandidatit për drejtimin e BKH-së është kompetencë e SPAK-ut, ndërsa votimi mbetet në diskrecionin e KLP-së.
Komente









