TIRANË-Policia ka arrestuar një 29-vjeçar nga Elbasani që mori pjesë sot në protestën e opozitës para parlamentit, ndërsa u përplas dhe konfrontua fizikisht me disa nga simpatizantët e tjerë të PD-së te Piramida dhe goditi punonjësit e policisë. I arrestuari është Olsi  Albarjami. Sipas policisë, ai është identifikuar nga pamjet filmike, ndërsa u përplas me demokratët, pasi e akuzuan se ishte punonjës policie dhe ishte i infiltruar në protestë. Madje, edhe Sali Berisha e publikoi foton e tij në Facebook duke thënë se është punonjës policie.

Momenti rrahjes (FOTO NGA POLICIA E SHTETIT)


Ndërkohë që përsa i përket protestës 7 persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa 4 janë shpallur në kërkim. Për protestën e sotme është proceduar sërish, për herë të katërt, sikur ka ndodhur në protestat e fundit, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi. Opozita sot protestoi për katër orë. Në protestë mungoi lideri demokrat Lulzim Basha i cili u gjend në Gjermani në takime me përfaqësues të CDU-së, duke shënuar të dytën mungesë siç ndodhi më 21 mars. Bojkotoi këtë protestë edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

 

Njoftimi i policisë
Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në lidhje me protestën e zhvilluar në datën 03.04.2019, para Parlamentit të Shqipërisë, në përfundim të veprimeve të kryera dhe pas këqyrjes së pamjeve filmike bëri arrestimin në flagrancë të shtetasit Olsi Albarjami, 29 vjeç, nga Elbasani, për kryerjen e veprave penale, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe  “Prishja e qetësisë publike”.

Ky shtetas gjatë protestës ka kryer  veprime të kundraligjshme ndaj punonjësve të Policisë në detyrë, veprime të dokumentuara me pamje filmike. Më pas ai është goditur nga protestues të tjerë me pretekstin se ishte punonjës policie dhe ishte i infiltruar në protestë.

Veprimet e këtij shtetasi i ka publikuar në rrjetin social facebook shtetasi Sali Berisha duke e etiketuar si punonjës policie.

Është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale të “ Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, shtetasi G.B., 33 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Gjithashtu në lidhje me protestën e sotme janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe 7 shtetas të tjerë për veprat penale të “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe  “Prishja e qetësisë publike”.

Si dhe janë shpallur në kërkim dhe po punohet për ndalimin e tyre edhe  4 shtetas  të tjerë për veprat penale të “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”,  “Prishja e qetësisë publike”  dhe  “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive".

Me kapuç në kokë Olsi Albarjami