Si pasojë e erërave të forta një pjesë e fasadës së jashtme të shkollës “Papa Kristo Negovani” në Ersekë u shkëput edhe pse investimi nuk kishte shumë vite  që ishte kryer në të gjithë godinën. Duket se punimet e dobëta sollën incidentin.

Mësimi po zhvillohet normalisht, ndërsa Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai thotë se grupi i emergjencave po kryen riparimin.

“Kam marrë masat për të evidentuar shkakun, problemi të mos thellohet dhe të vijojë procesi normalisht. Nuk di nëse është shkak cilësia e punimeve apo jo kjo i takon organeve kompetente”.- tha Isai.

Punimet për termoizolimin e shkollës ishin kryer në mesin e vitit 2018 me një vlerë prej 68 milionë lekësh megjithatë prindërit e fëmijëve shfaqin pasiguritë e tyre.

“Normal që kam frikë! Kam bërë kërkese që fëmijët të vënë skafander në kokë. Punimet e firmës jo cilësore. Dyshojmë se mund të kenë problem edhe më vonë”, thanë ata.

Incidenti në këtë shkollë u shënua mesditën e së martës kur procesi mësimor kishte përfunduar, ndaj nuk ka asnjë nxënës as mësues të lënduar.