U shfaq me "shall të kuq" në një veprimtari përkujtimore të Luftës Antifashiste, Sokol Sadushi reagon pas akuzave

U shfaq me

Sokol Sadushi

Kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi ka reaguar lidhur me publikimin e një fotografie të tij, nga Berisha, ku ai shfaqet me një shall të kuq. Sadushi thotë se respektoi Luftën e II Botërore, ashtu si e gjithë bota e qytetëruar. 

Deklaratë për media

Ka disa ditë që zëra publikë kanë shpërndarë në opinion fakte dhe qëndrime, të cilat janë larg së vërtetës në formulim, të njëanshme në shpjegim dhe të pasakta në interpretim, se Kryetari i Gjykatës së Lartë ka marrë pjesë në një veprimtari që është e papajtueshme me funksionin e tij, si gjyqtar.

Ndjehem i detyruar që në interes të transparencës me publikun dhe me dëshirën për të hedhur dritë në mënyrën e duhur, të sjell në vëmendje se:

Tri njësi administrative, bashkitë e Vlorës, Himarës dhe Selenicës, në datën 20 janar 2024, organizuan në mënyrë të përbashkët një veprimtari në kujtim dhe nderim të 80 vjetorit të krijimit të Brigadës së Pestë, një nga formacionet më të njohura luftarake shqiptare, pjesëmarrëse në Luftën e Dytë Botërore, që ka kontribuar në çlirimin e vendit dhe ka luftuar në Kosovë e deri në Sanxhak të Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë aktivitet jam ftuar mes qindra të tjerëve, me cilësinë e pjesëtarit të familjes së një prej themeluesve të kësaj brigade, babait tim Maliq Sadushi.

Ngjarjet e rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore janë pjesë e kujtesës dhe trashëgimisë historike të të gjitha vendeve të rreshtuara në aleancën e madhe antifashiste të kohës. Askund dhe askush në këto vende nuk gjykon se nderimi i asaj përpjekjeje titanike të njerëzimit dhe botës demokratike ka të bëjë me ngjyrime ideologjike të lidhura me të sotmen.

Dita e çlirimit në Shqipëri apo 9 maji, dita e fitores mbi nazifashizmin që përkujtohet në të gjithë Evropën nderohen zyrtarisht nga ata që besojnë se antifashizmi është një vlerë morale e njerëzimit. Nderimi dhe solemniteti përballë veprës së atyre të rinjve, një pjesë e të cilëve edhe martirë, që morën pjesë në luftë, njëlloj si moshatarët e tyre antifashistë kudo në botë, është detyrim moral i gjithkujt, i çdo patrioti që do atdheun. Një akt historik nuk gjykohet, duke e njësuar atë me regjimin komunist që u instalua pas çlirimit të vendit dhe për këtë nuk mund të akuzohen edhe çlirimtarët antifashistë, që si qëllim patën veçse çlirimin e vendit të tyre.

Në këtë kuptim, pretendimi se Kryetari i Gjykatës së Lartë ka marrë pjesë në veprimtari të papajtueshme me funksionin e gjyqtarit është i gabuar dhe jo logjik. Pjesëmarrja në një veprimtari përkujtimore të Luftës Antifashiste, e cila nderohet sot në të gjithë botën demokratike, nuk cilësohet si angazhim në një aktivitet politik, e aq më pak të identifikueshëm me një parti të caktuar politike në Shqipëri.

Unë ndjehem plotësisht i përgjegjshëm dhe i përkushtuar ndaj detyrimeve të mia si gjyqtar dhe si qytetar, pjesë e të cilave është dhe mirënjohja për sakrificat që populli shqiptar bëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një sjellje e ndryshme nga ana ime, nëpërmjet mohimit të historisë së vendit dhe asaj familjare, do të duhej të shkaktonte më shumë shqetësim për personalitetin e gjyqtarit, sesa pjesëmarrja në aktivitetin që bëhet në nderim të luftës dhe kontributit të babait tim, të bashkëluftëtarëve të tij dhe të gjithë dëshmorëve të atdheut.

Në përfundim të këtij shpjegimi të detyruar, gjej rastin të siguroj publikun se angazhimi im profesional në fushën e drejtësisë do të jetë i njëjtë, me përkushtim maksimal, të përditshëm e të ndershëm në misionin kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës.

Ju faleminderit!

Sokol Sadushi

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 26/01/2024 01:49

    E publikuar nga sekretari i partise, komunisti me teser dhe me zemer dhe doktori i besuar i Bllokut,shoku Sali Berisha,kjo foto nuk perben lajm,por z.Sadushi,lufta respektohet dhe pa shallin e kuq.Ndoshta shembulli me mesimdhenes per z.Sadushi duhet te vije nga U.S.A,ku gjyqtaret e Gjyqit Suprem,pavaresisht se kush i ka zgjedhur,apo cfare idealesh perfaqesojne,kur marrin pjese ne fjalimet e presidenteve para Kongresit,nuk duartrokasin asnjehere per te shprehur paanesine e Gjykates.Edhe z.Sadushi e te tjere,te ngjashem ne pozicion duhet t'a marrin parasysh qendrime te tilla kur marrin pjese ne aktivitete te tilla.

    Përgjigju
  • Safo Vlora: 25/01/2024 13:28

    Z. Sadushi, te marrresh pjese ne ngjarje te tille eshte normale por per shkak te pozites tuaj te fotografohesh me shall te kuq dhe me nje politikan lokal cenon pak besimin e istitucionin qe Ju drejtoni. Nje kolege juaj ne GJK mori pjese ne festen e partise ku partneri i saj eshte pjestar. Te jesh pjestar dhe drejtues ne GJL dhe GJK eshte privilegj dhe gjitheashtu kerkon standarte shume te larta etike. Ju me kolegen tuaj jeni pak me poshte standarteve te kerkuara nga postet qe Ju mbani ke da duket.

    Përgjigju
  • Psikiatri: 25/01/2024 13:14

    Qen njeri. Fare e keqe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille