Ditën e djeshme, nga "Foltorja" e Sali Berishës në Durrës, i vetmi lajm ishte deklarata e fortë e aktivistes shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari. E thirrur nga ish-Kryeministri në krah të tij, Kokalari ka "shkundur karrigen" e Lulzim Bashës, duke thënë se ai e ka "shitur" Berishën për të mbyllur dosjen e tij që kishte në SHBA, sa i përket lobimit rus. Kjo akuzë erdhi për herë të parë dhe thuhet pikërisht në "Foltoren" e Sali Berishës, i cili mesa duket me përjashtimin e tij po përdorë çdo kartë të mundshme kundër "birit të tij politik" që e largoi nga grupi i partisë që i vetë themeloi në vitet '90.

Por duket se këtij grupi që i kujtojnë Bashës këtë njollë të zezë të madhe në karrierën e tij i është bashkëngjitur edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ai nuk ka humbur asnjë ditë kohë por e ka thirur sot për një drekë në Presidencë Evi Kokalarin.

Ka qenë vetë aktivistja e PD-së e cila e ka konfirmuar këtë lajm.  Vetë ajo ka ndarë në rrjetet sociale foto me kreun e shtetit. Kokalari shprehet se është e lumtur për këtë takim duke e falënderuar Metën për drekën dhe bisedën e sinqertë.

“Jam e lumtur që më në fund takova presidentin Ilir Meta. Faleminderit për drekën e mrekullueshme dhe bisedën tuaj të sinqertë”, shkruan ajo.

Kokalari konfirmo dje edhe një tjetër akuzë shpesh herë është artikuluar në drejtim të kryedemokratit, se atij i është hequr viza amerikane për 2-3 vjet, por që tani më me përjashtimin e Berishës, atij i janë hapur dyert për të shkuar në Amerikë. Megjithatë, nuk vonoi shumë Partia Demokratike me anë të një deklarate të lëshuar për mediat ka mohuar këtë akuzë, duke njoftuar se do e padisë penalisht për shpifje Evi Kokalarin.

Historia e dosjes së lobimit rus nga PD
Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Por kush fshihet pas kompanisë “Biniatta Trade”, që rezulton fantazmë e regjistruar në parajsat fiskale dhe cfarë e lidh me rusët? (lexo ketu). Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit duke ngritur dyshime për origjinën e parave duke sjellë nisjen e hetimeve nga prokuroria, që u pushuan nga gjykata. Lulzim Basha së bashku me ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së, dhe Ilir Dervishin sipas prokurorisë akuzohen për falsifikim dhe fshehje të financimeve. Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Çfarë ndodhi sot në 'Foltoren' e Sali Berishës
Sali Berisha u ndal ditën e sotme me "Foltoren" e tij në Durrës. Kryetari dhe Sekretari i degës së kësaj forcë politike në Durrës i kanë qëndruar "besnik" Lulzim Bashës, duke mos marrë pjesë në këtë takim, e ndërsa ajo që vihet re është se të pranishëm ishin edhe drejtorët gjatë qeverisjes së tij, para 2013. Transmetimin "live" në Youtube nisi që nga rugëtimi i Sali Berishës në autostradë, një imazh që të krijon pak a shumë skenën e famshme në dasmat shqiptare të marrjes së nuses dhe "show" që bëhej.  Takimi nisi me 1 minutë heshtje për vdekjen e efektivit të Policisë, Saimir Hoxha, e ndërsa në vend të thirrjeve "Rama ik" tashmë u dëgjuan nga goja e vetë demokratëve "Basha ik". Ai përsëriti edhe njëherë akuzat në drejtim të Lulzim Bashës se është peng i Edi Ramës.

Postimi në Facebook i Evi Kokalarit