TIRANË - Erald Alimehmeti, djaloshi i arrestuar pasditen e 4 nëntorit 2020 nga efektivët e policisë “Shqiponja”, rezulton të jetë rrahur dhunshëm në ambientet e policisë, ku është shoqëruar. Konstatimi i rrahjes së Alimehmetit, është konstatuar nga përfaqësuesi i prokurorisë së Tiranës, i cili gjatë seancës gjyqësore për caktim të masës së sigurisë, ka vërejtur shenja të dukshme dhune tek personi që është shfaqur në kafazin e xhamtë.

Ky konstatim, është vërejtur dhe nga trupi gjykues, i cili i ka kërkuar prokurorit në seancë, që të niste menjëherë hetime për dhunën e shkaktuar në ambientet e komisariatit ndaj, të arrestuarit Erald Alimehmetit. Gjatë marrjes në pyetje, përballë gjykatës Alimehmeti, ka treguar se është dhunuar barbarisht në ambientet e komisariatit, ku është shoqëruar dhe aty është rrahur nga 4 efektivë policie.

Shenjat e dhunës fizike, Alimehmeti, i ka pasur të dukshme në fytyrë dhe pjesë të ndryshme të trupit. Vetë Alimehmeti, ka pranuar para gjykatës se është shopqëruar në polici në mënyrë të padrejtë dhe se nuk ka bërë rezistencë fizike, por vetëm i ka fyer me fjalë punonjësit e policisë. Pas kësaj, 4 prej tyre kanë ushtruar dhunë fizike në ambjentet e shoqërimit në polici.

Nisur nga ky fakt i konstatuar para gjykatës, prokuroria e Tiranës ka kërkuar kryerjen e një ekspertimi mjeko-ligjor, për të parë shkallën e dëmtimeve që ka pësuar Alimehmeti nga dhuna fizike. Ndërkohë për këtë çështje, do thiren në ditët në vijim 4 efektivët e skuadrës “Shqiponja”, të cilët kanë kryer shoqërimin e Alimehmtit në polici dhe që më pas dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike.

Për konstatimin e dhunës fizike në ambjentet e gjykatës, është vënë në dijeni dhe Drejtoria e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Tiranë. Arrestimi i Erlad Alimehmetit, është bërë fillimisht për mosmbajtie maske, më pas është proceduar për dhunë ndaj policëve dhe fyerje. Eraldi është vëllai i Sajmir Alimehmetit, djaloshit shqiptar të arrestuar nga FBI në USA dhe dënuar në Amerikë për akuzën e terrorizmit.