Analisti Valon Bela ka reaguar pasi u shpall non grata me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari. Ai thotë se vendimi është marrë në sinkron të plotë nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.
“Fillimisht faleminderit miqve e dashamirëve që më informuat dhe që më jepni mbështetjen tuaj. Ja reagimi im me rastin e shpalljes sime 'i padëshiruar' për Qeverinë e Edi Ramoviçit, vëllaut siamez të Vuçiç. Një vendim administrativ nuk mund ta shpallë "non grata" historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari. Nëse një luftëtar i tri luftërave kombëtare shqiptare shpallet i padëshiruar në shtetin shqiptar, atëherë pyetja nuk është vetëm se kush u shpall "non grata", por çfarë mesazhi po i jepet kujtesës sonë kombëtare.
Shqiptarët nuk janë ndarë kurrë në ata "brenda" dhe "jashtë" kufirit shtetëror kur ka qenë fjala për idealet kombëtare. Ata që kanë sakrifikuar për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve nuk mund të gjykohen vetëm me vendime administrative, sidomos kur mungon transparenca dhe një shpjegim i qartë publik.
Asnjë qeveri nuk është mbi kombin dhe asnjë mandat politik nuk është i përjetshëm. Qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa historia mbetet. Ata që sot marrin vendime përjashtuese duhet të jenë të vetëdijshëm se do të gjykohen jo vetëm nga bashkëkohësit, por edhe nga brezat që do të vlerësojnë nëse kanë mbrojtur interesin kombëtar apo interesat e ditës. E sidomos kur një qeveri fyen rëndë Kosovën, pret me tepih të kuq Vuçiqin dhe malltreton e rrah brutalisht popullin e tij që mendon ndryshe.
Dinjiteti i një luftëtari nuk matet me të drejtën për të hyrë ose jo në një shtet, por me veprën që ka lënë pas dhe me respektin që gëzon në mesin e popullit, ndryshe nga qeveria aktuale që gëzon respekt vetëm nga foshnjëvrasësit. Dhe mu në sinkron të plotë, Rama & Vuçiq më fusin në listën e padëshiruarve. Kjo flet shumë”, shkruan Valon Bela.
Lajmi kryesor:
Dyshohet se kryenin veprimtari kundër sovranitetit të Shqipërisë, Ministria e Brendshme shpall non grata dy shqiptarë nga Maqedonia e Veriut










