TIRANË- Zemra filloi t'u rrihte shumë shpejt sapo në qiell u shfaq avioni i 'Air Albania' në Rinas. Pritjes disa vjeçare i erdhi fundi dhe sot Endri Dumani, Floresha Rasha së bashku me tre fëmijët e saj Amar, Emel e Hatixhe u rikthyen në atdhe, krah familjarëve të tyre. Vitet në kampin famkeq në Siri, AL-Hol tashmë do i përkasin së shkuarës dhe një jetë e re i pret në atdhe. Si asnjëherë tjetër, sot Rinasi u "pushtua" me familjarë të "djegur" nga malli e "të veshur" me shpresën që s'iu shua kurrë.

I madh e i vogël nga familja Dumani nga Dibra kishte ardhur në aeroport për të pritur djalin e tyre që nuk e kishin parë prej rreth 7 vitesh. Nëna Mide që dridhej nga emocionet, daja që i kishin shteruar fuqitë për ta rikthyer në shtëpi realizuan takimin e shumëpritur me Endrin. E vështirë që të përshkruhet me fjalë momenti kur nëna "mbyt" me puthje dhe përqafime Endrin e vogël dhe biseda mes tyre. "Përshëndetje, Endri, o i bukuri i mamit vet, o rrushi i mamit, shihe mamin. Të ka mami zemër, o ta marrtë mami të keqen, o zemra e mamit. O i bukuri i mamit. Shihe dajën Dritan. O sa i miri qenke bërë ti", dëgjohet teksa i thotë Endri. Megjithatë, gëzimi në familjen Dumani nuk ka qenë i plotë, pasi motra e tij e madhe Eva nuk është kthyer bashkë me të. Burimet i thanë Report TV se Eva është fshehur dhe nuk ka dashur që të kthehet, e ndërsa daja nuk di t'i jap një arsye. "Nuk kemi arsye se përse ajo nuk po bashkëpunon për t'u kthyer", tha ai. Në takimin e shkurtër që pati me ta,  kryeministri Edi Rama u kërkoi që të mos hiqnin dorë, pasi shpresat janë të mëdha për ta rikthyer. "Besoj që do e sjellim dhe vajzën por është një një çik më e komplikuar", tha Rama.

Floresha Rasha së bashku me tre fëmijët e saj janë shqiptarët e tjerë të riatdhesuar sot. Në pritje të saj kanë dalë familjarët,ndonëse më të pakët në numër, pasi vjehrri ia ka mbyllur derë. Ajo shkoi së bashku me burrin e saj, Diamantin dhe djalin Amar, pa pëlqimin e tyre në Siri. Diamanti u vra në dhjetor të 2016 dhe Floresha u martua me dikë tjetër  me të cilin lindi në kamp dy vajzat Emel e Hatixhe. Gjyshi Shabani në një intervistë për Report Tv shprehet se ndihet i tradhtuar nga nusja, dhe as nuk do ta takojë, por kërkon vetëm që të përqafojë nipin, Amarin.

5 shqiptarët e riatdhesuar do të strehohen për disa muaj në shtëpinë e pushimit të ushtarakëve në Durrës, qendra e cila do t'i ndihmojë që të ri-integrohen në shoqëri.

VIDEO- Mbërritja e 5 shqiptareve nga Al Hol

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:54
U riatdhesuan nga Siria/ 5 shqiptarët transportohen te Shtëpia e pushimit të Ushtarakëve në Durrës

5 shqiptarët e sjellë nga Siria janë transportuar te Shtëpia e pushimit të Ushtarakëve në Durrës. Kjo strehë, siç ka deklaruar Rama, i ka të gjitha kushtet për t'i integruar në shoqëri.

Ora 14:19
'O i bukri i mamit, sa i bukuri qenke bërë ti'/ Momenti emocionues kur nëna e mbulon me puthje dhe përqafime Endri Dumanin (VIDEO)

Endri Dumani përqafon nënën e dajën pas kthimit nga kampi i Al-Hol në Siri.

Mami i Endri Dumanit: Përshëndetje, Endri, o i bukuri i mamit vet, o rrushi i mamit, shihe mamin. të ka mami zemër, o ta marrtë mami të keqen, o zemra e mamit. O i bukuri i mait. Shihe dajwn Dritan. O sa i miri qenke bërë ti
Rama: Më vjen keq që nuk e sollëm dot dhe vajzën
Daja- Ramës: Nuk di ç'të them tjetër, por je bërë engjëll për ta
Rama: Besoj që do e sjellim dhe vajzën por është një 1çik më e komplikuar
Daja: Kam 7 vjet që nuk jam ndalë asnjë ditë, fuqia ime deri këtu ishte
Rama: Edhe ne nuk jemi ndalur, por nuk mund të flisnim se mund të vinim në rrezik punën. Besoj se do e sjellim dhe vajzën me ndihmën e Zotit.
Rama: E di ça më tha mua ky (i referohet Endrit). U ul aty dhe po më shihte dhe më tha qënke plak

Ora 13:27
5 shqiptarët e nxjerrë nga kampi Al-Hol mbërrijnë në Rinas! Familjarët nuk fshehin emocionet

5 shqiptarët e nxjerrë nga kampi Al-Hol mbërrijnë në Rinas. Familjarët nuk fshehin emocionet. Nga kampi u nxor Floresha Rasha me fëmijët e saj Amar, Emel e Hatixhe si edhe Endri Dumani. Të pranishme përveç kryeministrit Edi Rama janë edhe dy ministret, Olta Xhaçka dhe Ogerta Manastirliu.

1603802619_FAMILJARET3.jpeg

Ora 12:52
Nga më i vogli te më i madhi, të gjithë në aeroport për Endri Dumanin: Duam shumë ta prekim! Është dita më e mirë

E quan ditën më të bukur të jetës së tij momentin kur ka marrë vesh lajmin që Endri Dumani do të kthehet në atdhe. Edhe pse i vogël në moshë ai mezi pret që të ta takojë.

"Më ka munguar shumë dhe nuk kam pasur mundësi ta takoj, kur mora lajmin nuk e besoja, por kur e pashë me sytë e mi, atë ditë nuk fjeta nga emocionet, ka qenë dita ime më e mirë", tha kushëriri.

Nusja e dajës, po e pret me lot në sy dhe mezi pret që ta takojë.

"Nga më i vogli te më i madhi, të gjithë në aeroport për Endri Dumanin: Duam shumë ta prekim! Është dita më e mirë", tha ajo.

Ora 12:44
Kushërira e Endri Dumanit: Nuk do i mungoj dashuria, jemi një familje e madhe! Babait të tij i kanë bërë 'lavazh truri'

Sonja Ndregjoni në një prononcim për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta ka rrëfyer emocionet e këtij momenti.

"Kontaktin e fundit e kemi pasur para 7 vitesh është një ëndërr e bërë realitet për të gjithë familjen, kemi shpresuar dhe kërkuar dhe tani na duket pak e pabesueshme. Do ishte mrekulli që Eva të ishte sot, por për disa shkaqe që nuk e di, shpresoj që të vij dhe ajo.  Ne jemi një familje shumë e madhe, e presin xhaxhallarët, daja, mamaja e tij që ka gjithë këtë video që ëndërron këtë moment, Endi nuk do jetë kurrë vetëm sa ka qenë këto 7 vite. Ato kanë pasur kontakt me babain tim, Eva është shprehur e frikësuar, ajo nuk di se kujt t'i besoj, por ia dolëm që të marrim Endrin. Jemi shumë familjarë këtu. Shtëpia e Endrit dhe Evës është shitur, kemi mundësinë që të kemi gjetur një shtëpi tjetër, aty është dhoma e Endrit dhe Evës, vetëm ato mungojnë", tha Sonja.

Ajo ka treguar edhe momentin se si e ka marrë vesh për largimin e dy fëmijëve.

"E kujtoj si dicka shumë të trazuar, vinin, iknin nga shtëpia me merak të gjithë familjarët se ca informacionesh mund të merrnin, 7 vite kanë qenë këtu me shpresë, shuheshin prap, Endri është 12 vjec, Eva 14 vjeç. Kur e kam parë për herë të fundit Evën, ka qenë me një kushërirë, duke folur bashkë te shtëpia e gjyshërve në Kamëz", tha Sonja.

Pyetur se çfarë e ka shtyrë babanw e dy fëmijëve, Shkëlzen Dumanin, ajo ka këtë përgjigje: Mesa mendoj unë është lavazhi i trurit që i bëhet shqiptarëve dhe shumë shtetasve të tjerë për një kauzë që nuk e kuptoj se ca është, ai gjithmonë thoshte "do iki për një jetë më të mirë, nëse do i rriste fëmijët në një shtet islamik, do i rrite më mirë".