Situata problematike me emigrantët në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës vijon prej ditësh, pasi nuk lejohen të kalojnë pa autorizimin përkatës nga ambasada. Kufiri është mbyllur si pjesë e masave për parandalimin e COVID-19, ndërsa riatdhesimi në këtë kohë do u lejohej vetëm emigrantëve që kishin leje. Ndërsa gjatë orëve të pasdites situata është tensionuar në pikën kufitare të Kapshticës, ku emigrantët nuk lejojnë kalimin e kamionëve të mallrave.  

Në Kapshticë qëndrojnë ende 50 emigrantë që nuk lejohen që të futen në territorin tonë pasi nuk janë të pajisur me autorizimin përkatës nga konsullata për shkak të situatës nga koronavirusi. Ndërsa në Kakavijë 10 prej 33 shqiptarëve që e kaluan natën mbrëmë në tokën neutrale u ka sosur durimi duke kaluar ilegalisht kufirin për të hyrë në atdhe, por janë kapur nga patrulla e policisë dhe janë gjobitur, ndërsa u shoqëruan në banesë për të qëndruar në vetëkarnatinim për 14 ditë me detyrim. 

Për shkak të temperaturave të ulëta ata u detyruan që të ndezin një zjarr për t'u ngrohur, pasi natën e kaluan jashtë. 6 emigrantë janë kthyer mbrapsht në vendin fqinj ku jetojnë dhe punojnë, ndërsa 7 të tjerë janë ende në pritje të hapjes së kufirit. Gjithsej në 24 orët e fundit u është lejuar hyrja në Shqipëri vetëm 10 personave që kishin leje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:44
Basha për emigrantët: Lejojini të kalojnë, karantinojini te Kavaleshenca dhe bëjuni testin

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkon që qeveria të lejojë kalimin e emigrantëve që prej ditësh ndodhen në tokë neutrale në kushte të vështira. Ai thotë se emigrantët të transportohen dhe futen në karantinë në Kavaleshencë në Durrës dhe t'u bëhet testi. Për Bashën braktisja e tyre nga shteti është kriminale dhe çnjerëzore.

'Është e pafalshme dhe çnjerëzore që prej 4 ditësh dhjetëra nga bashkëqytetarët tanë janë lënë në mëshirë të fatit, në tokë asnjanëse mes Shqipërisë dhe Greqisë. Një braktisje e tillë mizore përbën një krim kaq të rëndë, sa asnjë shoqëri e civilizuar nuk mund ta falë, dhe që një prokurori me një fije integritet nuk mund të mos e hetojë. I bëj thirrje qeverisë të lejojë këta bashkëqytetarë të hyjnë në atdheun e tyre. Të merren masa për transportin dhe strehimin e tyre në qendrën për karantinim në konvaleshencën e Durrësit. Të bëhet testimi i tyre dhe më pas në varësi të gjendjes shëndetësore të dërgohen pranë shtëpive dhe familjeve të tyre. Braktisja e tyre në këtë kohë të vështirë është e papranueshme, është kriminale', shkruan Basha

Ora 20:07
Rëndohet gjendja e 3 emigrantëve në Kapshticë

Tre emigrantë të bllokuar në Kapshticë, dy gra dhe një burrë kanë shfaqur probleme shëndetësore. Për këtë është nisur një ambulancë dhe një ekip mjekësor nga Bilishti për t'u ardhur në ndihmë dhe parë nga afër gjendjen shëndetësore të tyre.

Ora 19:34
Mes të ftohtit prej ditësh në Kapshticë, disa emigrantët 'strehohen' brenda makinës së prishur

Emigrantët e bllokuar në pikën kufitare të Kapshticës prej ditësh po qëndrojnë në tokë neutrale duke u përballur me të ftohtin dhe shiun. Disa prej tyre janë 'strehuar' në një makinë të prishur që ndodhej aty duke qëndruar brenda për të përballuar kushtet e vështira të motit.

Ora 19:34
'Kam pa ngrënë dhe pa pirë, në të ftohtë prej 3 ditësh', apeli i pensionistit nga Kapshtica

Pensionisti 67-vjeçar Petrit Shaqe, prej tre ditësh vijon të qëndrojë pa ngrënë, pa pirë dhe në të ftohtë në tokën neutrale në Kapshticë, pasi nuk ka autorizimin për të kaluar drejt territorit shqiptar.

"Kam ikur me 29 shkurt në Greqi te vajza se e kisha të sëmurë. Kam 3 ditë, që të premte që jam bllokuar këtu. Jam 67 vjeç, pensionist, me ilaçe e tension dhe nuk po qëndroj dot më. Është ftohtë, bie shi, jam pa ngrënë dhe pa pirë prej 3 ditësh. Nuk kam se çfarë të bëj, këto në kufirin shqiptar nuk më qasin", shprehet për kamerën e Report TV pensionisti, i cili është nga Korça me banim në Tiranë.

Ora 18:58
Tensionohet situata në Kapshticë, emigrantët e bllokuar nuk lejojnë kalimin e kamionëve

Është tensionuar situata në pikën kufitare të Kapshticës, ku 50 emigrantët e bllokuar aty prej ditësh nuk kanë duruar më dhe kanë bllokuar kalimin e kamionëve, me shpresë se thirrjet e tyre për të hyrë në territorin shqiptar do të dëgjohen dhe do të lejohen të kalojnë.

Të moshuar, gra dhe fëmijë janë bllokuar në tokë neutrale në pamundësi për të kaluar pasi nuk zotërojnë një autorizim të tillë nga ambasada shqiptare në Greqi.

Ora 17:09
Meta apel emigrantëve të respektojnë kushte e emergjencës! Kërkesë qeverisë: Mos braktisni qytetarët

1585809260_Meta2.jpg

Situata e vështirë e krijuar me emigrantët në pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës  ka bërë që Presidenti Meta t'i bëjë apel qytetarëve  që të respektojnë kushtet e emergjencës të imponuara nga pandemia e koronavirusit, por ka kërkuar dhe nga autoritete përgjegjësisë që të gjejnë një zgjidhje për këtë situatë pasi është detyrim kushtetues që shteti të mos braktis qytetarët e vet.

"Jam shumë i shqetësuar mbi situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët vijojnë ende të bllokuar në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës. Kjo situatë duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme. U bëj thirrje sërish të gjithë qytetarëve shqiptarë të respektojnë kushtet e urgjencës dhe domosdoshmërisë të imponuara nga pandemia e COVID-19 në pikat tona kufitare e njëkohësisht kërkoj nga autoritetet tona përgjegjëse të respektojnë, jo vetëm kërkesat e situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por edhe detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare që shteti ka ndaj qytetarëve të vet në një situatë të tillë. Edhe njëherë kërkoj nga të gjithë më shumë bashkëpunim e mirëkuptim, solidaritet e përgjegjësi mes qytetarëve dhe autoriteteve tona në dobi të interesit publik dhe sigurisë së jetës ", shkruan Meta.

Ora 17:06
Bllokimi i emigrantëve në kufi, PD: Krim, po shkelen të drejtat e njeriut dhe e konventave ndërkombëtare

1586099292_pd.jpg

Bllokimin e emigrantëve shqiptarë në tokën neutrale në Kakavijë dhe Kapshticë, pasi nuk kanë autorizimin përkatës për të kaluar kufirin, është cilësuar nga Partia Demokratike si 'krim dhe shkelje e të drejtave të njeriut  dhe e konventave ndërkombëtare'.

Sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë në PD, Arben Kashahu shprehet se qeveria shqiptare po kryen një krim me shqiptarët e braktisur në kufirin grek.  Ai e cilëson bllokimin e emigrantëve shqiptarë në kufi si eksperimentim të rëndë humanitar me sjellje anti-njerëzore dhe anti-ligjore.

"Rasti i qytetarëve tanë të lejuar të kalojnë nga shtetet fqinje dhe të bllokuar nga qeveria e tyre është një nga precedentët që e drejta ndërkombëtare do të trajtojë e fiksojë në listën e shkeljeve brutale të kësaj të drejte nga një shtet si Shqipëria. Theksoj se nuk po flasim këtu për mos-organizim misionesh ri-atdhësimi nga ana e qeverisë, por për t’i lejuar të drejtën Shqiptarëve të cilët kanë mbërritur në kufi me mundësitë e tyre, të hyjnë në tokën e tyre. Ky mohim, konsiderohet nga e drejta kombëtare dhe ndërkombëtare si krim", shkruan Kashahu.

Në fakt bllokimi i emigrantëve ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të masave të vendosura nga qeveria për të ulur rrezikun e  infektimit me koronavirus. Qeveria ka theksuar disa herë se qytetarët që do të riatdhesohet do të kontaktohet nga ambasadat shqiptare nga vendet përkatëse dhe do të pajisjen me leje për të udhëtuar. Kush nuk ka leje nuk mund të lëvizë dhe të kalkojë kufirin, ka qenë urdhër i prerë i kryeministrit Rama deri në përfundim të luftës, por që nuk po respektohet nga emigrantët që vijnë nga Greqia përmes pikës kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës.

Statusi i plotë i Arben Kashahu

Një eksperiment të rëndë humanitar dhe ligjor po kryen me Shqiptarët e bllokuar jashtë traut të kufirit, qeveria e Shqipërisë. Kushtet çnjerëzore të qytetarëve tanë në kufi, të mbushin me revoltë njerëzore, kombëtare e ligjore. Pamjet e qytetarëve tanë të bllokuar në pikën kufitare të Kapshticës, të lënë në kushte primitive, janë prova e sjelljes anti-njerëzore dhe anti-ligjore e qeverisë ndaj qytetarëve të saj. 

Është eksperiment i rëndë humanitar, bllokimi i kufijve për shtetasit tanë nga qeveria duke I ekspozuar ato ndaj përballimit të kushteve të vështira ambientale në një kohë shumë të gjatë, dhe rrezikuar jetën nga paushqyerja, të ftohtët, pa ndihmë mjekësore, si të ishin robër lufte. Edhe ndaj këtyre të fundit do të duhej të tregohej më shumë humanizëm sipas këndit tim. 

Është një eksperiment i rëndë ligjor, sepse e drejta për t’u kthyer në vendin e tyre “The Right of Return” është e saksionuar në një numër të madh konventash ndërkombëtare ku Shqipëria është pjesë. Kujtoj këtu nenin 13 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut (UDHR); nenin 12, pika 4 te Konventës Ndërkombëtare të të Drejtave Politike dhe Civile (ICCPR); nenin 49 të Konventës së Katërt të Gjenevës; nenin 5 pika d, të Konventës për Eliminimin e të Gjithë Formave të Diskriminimit; dhe nenin 20 të Rregullores së Hagës.

Rasti i qytetarëve tanë të lejuar të kalojnë nga shtetet fqinje dhe të bllokuar nga qeveria e tyre është një nga precedentët që e drejta ndërkombëtare do të trajtojë e fiksojë në listën e shkeljeve brutale të kësaj të drejte nga një shtet si Shqipëria. Theksoj se nuk po flasim këtu për mos-organizim misionesh ri-atdhësimi nga ana e qeverisë, por për t’i lejuar të drejtën Shqiptarëve të cilët kanë mbërritur në kufi me mundësitë e tyre, të hyjnë në tokën e tyre. Ky mohim, konsiderohet nga e drejta kombëtare dhe ndërkombëtare si krim!

Ora 09:51
Të moshuar e të sëmurë! Në Kapshticë 50 shqiptarë e kaluan natën jashtë

Emigrantët në Kapshticë

Ndërkohë që kanë kaluar më shumë se 24 orë rreth 50 emigrantë shqiptarë vijojnë të qëndrojnë në tokë neutrale në doganën e Kapshticës. Midis tyre të moshuar dhe persona të sëmurë. Qëndrimi gjate orëve të mbrëmjes ka qenë tepër i vështirë për shkak të temperaturave të ulëta dhe reshjeve të shiut. Të mbledhur në grumbuj ata kanë kaluar natën rreth zjarrit që e ndezën për ngrohje.

Emigrantët nuk mund të hyjnë në Shqipëri sepse nuk kane  autorizimin përkatës, ndërsa sa i përket rikthimit në Greqi personave që iu ka mbaruar afati i lejes së qëndrimit nuk mund të rikthehen, kurse ata me leje qëndrimi të përhershme mund të rikthehen. Një pjesë e tyre kanë mundësi të rikthehen po kanë zgjedhur të mos e bëjnë. Megjithatë kalimi drejt atdheut është i pamundur.