Artistët të cilët ndodheshin te ‘Vila 31’ që sot shërben si qendër arti, gjatë sulmit të militantëve të PD me molotovë, janë shprehur për Report Tv se janë ende të traumatizuar.

Kërkesës për një prononcim zyrtar ata i janë përgjigjur se do të flasin shumë shpejt.

Sot artistët u takuan edhe me kryeministrin Rama, i cili shkoi në godinë për të biseduar me ta. Takimi përfundoi pas 20 minutash.

7 artistë të huaj dhe 3 persona nga stafi gjendeshin brenda vilës në momentin kur militantët e PD shkarkuan arsenalin e molotovëve. Vila u përfshi nga flakët nga kati i parë në të dytin.

Gjatë këtij momenti të paprecedentë, në vilën që sot shërben si qendër kulture, ndodheshin 7 artistë të huaj dhe 3 persona të tjerë që shërbejnë si personel. Vila mori flakë nga kati i parë në atë të dytin ndërsa nga pamjet që sjell Report Tv shihen dëmet e lëna pas, xhama të thyer e objekte të dëmtuara.

Në rezidencë, e cila sot ka marrë emrin ArtExplora, artistë nga e gjithë bota jetojnë e punojnë. Ata ndryshohen çdo 3 muaj. Ndërkohë në fjalën e tij, Berisha u hoq sikur nuk ia kishte idenë për ekzistencën e tyre në qendër.

“Ç’punë kanë të huajt aty? Kush tha, me asgjë në botë Rama nuk retushon dot figurën e Hitlerit shqiptar", tha Berisha.

Megjithatë, sot policia ka arrestuar 4 militantë dhe ka çuar në SPAK Klevis Balliun për organizim dhe pjesëmarrje në manifestime të paligjshme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:53
Sulmi me molotovë në ‘Vilën 31’ nga militantët e PD, reagon ambasada franceze: Vënia në rrezik e rezidentëve dhe dëmet janë të patolerueshme

Ambasada franceze ka reaguar ndaj sulmit me molotovë nga protestuesit e PD në ‘Vilën 31’ kur brenda ndodheshin artistët. Në deklaratë, ambasada thotë se organizatorët e protestës s’mund të injoronin faktin që prej vitit 2025, godina shërben si rezidencë për artistë ndërkombëtarë.

Ambasada shprehet se rrezikimi i jetës së rezidentëve dhe dëmet e shkaktuara “janë të patolerueshme”, ndërsa shton se e drejta për të protestuar nuk është e pajtueshme me asnjë formë dhune.

“Ne dënojmë me forcë aktet e dhunës që mbrëmë arritën një nivel të papranueshëm me sulmin ndaj Vila 31 – Fondacioni Art Explora. Vila 31 është që nga viti 2025 një rezidencë për artistë ndërkombëtarë, e menaxhuar nga një fondacion francez. Qëllimi i saj është të nxisë shkëmbimet kulturore dhe të shërbejë si urë lidhëse mes Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Evropës. Organizatorët nuk mund ta injoronin këtë fakt. Vënia në rrezik e rezidentëve dhe dëmet e shkaktuara janë të patolerueshme. E drejta për të protestuar nuk është e pajtueshme me asnjë formë dhune. U bëjmë thirrje organizatorëve të tregojnë përgjegjësi”, shkruan ambasada.