Heroi shqiptar Oso Kuka i cili u vetëflijua brenda kullës së tij në Vranjinë për të mos rënë në duart e forcave të Malit të Zi në mbrojtje të kufijve shqiptarë në vitin 1861 është shpallur nga qeveria shqiptare “Dëshmor i Atdheut”.
Ky status i dhënë nga Ministria e Mbrojtjes, iu dorëzua të afërmve të Oso Kukës në një ceremoni zyrtare në Shkodër në muzeun që mban emrin e tij. Gjergj Velo, kryetar i organizatës së Dëshmorëve të Atdheut thotë se ka një indiferencë nga institucionet për dëshmorët.
Ish-kryetari i Kuvendit Namik Dokle thotë se ata që kërkojnë të denigrojnë statusin e Dëshmorit janë në një prapambetje të madhe. Një i afërm i Oso Kukës falënderoi për shpalljen Dëshmor i Atdheut. “Ishte një nga djemtë trima që kurrë nuk i ka munguar Shkodrës. Akti i tij heroik ka frymëzuar dhe do të frymëzojë brezat”, tha Orhan Kuka. “Kjo familje i ka dhënë vendit breza luftëtarësh për mbrojtjen e Atdheut”.
Përpara ceremonisë u inaugurua edhe një pllakatë e vendosur në muzeun historik të Shkodrës që mban emrin e Oso Kukës dhe 27 bashkëluftëtarëve të tjerë të rënë për mbrojtjen e trojeve shqiptare.