Treqind shezlongë u zhdukën natën, në qershorin e dy viteve më parë, nga resorti i Onde Chiare në Reggio Emilia dhe u vodhën nga persona të panjohur.

Një vit më vonë, të njëjtët shezlongë u shfaqën “si me magji”, me logon e Onde Chiare ende të dukshme, në një plazh në Kepin e Rodonit në Shqipëri, shkruajnë mediat italiane.

I vuri re një grua nga Reggio Emilia, e cila ndodhej atje me pushime dhe u dërgoi menaxherëve të resortit një email me foto të bashkëngjitura, për t’i njoftuar për këtë gjetje të pazakontë, pasi ishte në dijeni të ngjarjes së dy viteve më parë.

Nuk është ende e qartë sesi shezlongët kanë përfunduar në këtë plazh. Ka disa hipoteza që mund të qëndrojnë në këtë rast pasi mund të jenë blerë pa ditur që janë të vjedhur. Gjithashtu verifikimet e blerjes mund të mos jenë bërë ende apo të kenë kaluar nga një pronar te tjetri deri në publikimin e videos.

Alberto Costoli dhe Enrico Cavazzoni, menaxherët e Onde Chiare, nuk humbën kohë. Ata caktuan avokatin Gianluca Dallari për të nisur procedurën për rikthimin e pajisjeve me vlerë mbi 45 mijë euro.

“Menduam të shkonim atje dhe t’i merrnim vetë, por më pas vendosëm të ndiqnim rrugën ligjore. Avokati ynë gjeti edhe një avokat në Shqipëri, i cili nisi procesin gjyqësor. Në teori, shezlongët tanë duhej të ishin sekuestruar dhe të vendoseshin në ruajtje nga autoritetet shqiptare. Por ndërkohë, një kliente tjetër e jona, e cila rastësisht ndodhej këto ditë në Durrës, na dërgoi një video të re, atë që më pas e publikuam në profilin tonë në Instagram, ku shihet qartë se ata janë ende në plazh, duke u përdorur nga klientët e kësaj strukture shqiptare. Jemi shumë të zemëruar”, thotë Costoli.

Pikërisht për këtë arsye vendosën ta bëjnë çështjen publike:

“Kemi etiketuar mediat lokale, i kemi dërguar një email redaksisë së programit ‘Le Iene’ të Italia Uno, i njohur për hetimet e tij mbi çështje të ndjeshme. Gjithashtu desha të etiketoja edhe Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, sepse shpesh bën deklarata për zhvillimin e turizmit në vendin e tij. E pra, vjedhja e shezlongëve në Itali nuk është aspak një kartëvizitë e mirë për turistët dhe për reputacionin kombëtar të Shqipërisë. Ne punojmë prej vitesh me disa furnitorë shqiptarë dhe nuk kemi pasur kurrë probleme. Shpresojmë që kryeministri shqiptar të interesohet për rastin tonë, sepse tashmë nuk dimë më se cilën rrugë të ndjekim”, thonë menaxherët.

Postimi i Onde Chiare:

“Përshëndetje të gjithëve, nëse dikush shkon me pushime në Kepin e Rodonit… të përshëndesë shezlongët tanë! Duket si shaka, por fatkeqësisht është e vërtetë.”

“Në qershorin e vitit 2024 na vodhën rreth 300 shezlongë, me një vlerë mbi 45.000 euro, nga Circolo Onde Chiare i Reggio Emilia-s”, shkruhet në postim. “Një vit më vonë, një e njohura jonë, gjatë pushimeve në Shqipëri, na dërgoi disa foto: ‘… por këta nuk janë tuajit?’

Dhe që nga ai moment fillon një histori pothuajse surreale. Denoncime, avokatë në Itali dhe Shqipëri, përkthime, verifikime, kohë dhe para të shpenzuara për të provuar të kthejmë atë që na është vjedhur.

Sot kjo video, e filmuar pak ditë më parë, tregon se ata shezlongë janë ende në të njëjtën strukturë plazhi. Ne thjesht duam të kuptojmë se si është e mundur që një vjedhje prej 45.000 eurosh, me sendet e identifikuara dhe të dokumentuara prej më shumë se një viti, ende nuk ka gjetur një zgjidhje.

Ndoshta kjo video do të arrijë te personi i duhur. Nëse njihni dikë që mund të na ndihmojë, një gazetar, një emision televiziv, ose thjesht mendoni se kjo histori meriton të rrëfehet… shpërndajeni”, shprehet më tej.

Ndërkohë, postimi në rrjetet sociale ka marrë vërtet shumë vëmendje, duke arritur dhjetëra shpërndarje dhe disa qindra pëlqime.

“Shpresojmë që pak zhurmë dhe presion mediatik të ndihmojnë për ta çuar çështjen përpara”, përfundon Costoli”, mendoni për shqetësimin që na shkaktoi kjo vjedhje dy vite më parë, pikërisht në fillim të sezonit veror.”

Sipas raportimeve për vjedhjen dy vite më parë, gjithçka ndodhi vetëm 30 minutave. Hajdutët nuk kishin lënë pas rreth 200 shezlongë.