Është publikuar ditën e sotme fotoja e 44-vjeçares shqiptare Esma Meço, e cila u vra me thikë nga bashkëshorti i saj. 44-vjeçarja me origjinë nga Gramshi u qëllua për vdekje me thikë në zonën e e qafës nga burri i saj 53-vjeçar Bujar Meço.
Sipas mediave greke ajo ishte viktimë e dhunës në familje për shumë vite. Në këto rrethana, mësohet se Esma kishte vendosur të ndahej dhe kishte caktuar një takim me avokatin e saj, i cili do të zhvillohej ditën e sotme nëse gjërat nuk do të përmbylleshin në mënyrë tragjike.
Teksa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim, bëhet me dije se kanë dalë detaje nga ekzaminimi mjeko-ligjor, i cili ka konfirmuar se Esma vdiq në vend si pasojë e plagës së marrë.
“Plaga me thikë në pjesën e qafës ishte e thellë, me tehun që arrinte dhe depërtonte në mushkërinë e djathtë, i shkaktoi gjakderdhje”, shkruan Prothotema.gr.
Në një prononcim për Protothema.gr avokatja që përfaqësonte 44-vjeçaren, Evangelia Kola bëri me dije se viktima kishte vendosur të divorcohej nga 53-vjeçari dhe se ata nuk jetonin bashkë së fundmi.
Ndërkohë nga hetimet paraprake raportohet se arsyeja e dhunës së ushtruar ndaj Esmës të ketë qenë xhelozia, mirëpo për vrasjen e saj nuk përjashtohet mundësia që shkak të jetë bërë kërkesa për divorc.
Në vitin 2022, viktima e kishte denoncuar 53-vjeçarin për dhunë në familje, kur ishin në Kretë. Ai u arrestua, por u lirua pas disa kohësh.
“Viktima ishte sulmuar shumë herë nga bashkëshorti i saj. Nuk ishte vetëm incidenti i vitit 2022", tha ajo, duke përshkruar një histori dhune që, sipas saj, kishte zgjatur me kalimin e kohës.
"Xhelozia dhe pavarësia e saj financiare, të cilat ajo ishte përpjekur t'i fitonte gjatë gjithë këtyre viteve, ishin shkaku i dhunës në familje", tha ajo.
Ndërkohë raportohet se 53-vjeçari merrte ilaçe dhe më parë ishte shtruar në një klinikë psikiatrike, por u përcaktua se nuk kishte nevojë për shtrim të mëtejshëm në spital.
Kur ndodhi ngjarja
Vrasja ndodhi mesditën e së mërkurës, kur 53-vjeçari e goditi me thikë në qafë gruan 44-vjeçare , ndërsa vajza e saj 16-vjeçare dhe djali i tyre 19-vjeçar ishin brenda në shtëpi në atë kohë.
E mitura pa nënën të vdiste para syve të saj, ndërsa 19-vjeçari ishte ai që e mori në krahë dhe e çoi në spital për të mos humbur kohë. Megjithatë, ajo nuk mundi t'i mbijetojë plagëve të marra.
Pas vrasjes, Bujar Meço tentoi t'i jepte fund jetës duke pirë benzinë. Ai u transportua në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Pasi doli nga reanimacioni, autoritetet greke e arrestuan zyrtarisht, ndërsa ai vijon të ruhet nga policia në spital.




Komente
Komento