Në 9 maj të vitit 1906 me urdhër të Sulltanit u vra Abedin Dino, një nga figurat më të mëdha të Rilindjes Kombëtare shqiptare, i lindur në Prevezë të Çamërisë. Dino ishte ndër themeluesit e Lidhjes së Prizrenit, themelues i Komitetit Shqiptar të Janinës dhe organizator i Kuvendit të Prevezës.

Ai ishte një nga zërat më të rëndësishëm politikë e diplomatikë të shqiptarëve dhe ka marrë pjesë aktivisht në përpjekjet për përhapjen e gjuhës shqipe, përkrah figurave si Abdyl e Sami Frashëri, Jani Vreto, Hasan Tahsini, Vaso Pasha dhe Zija Prishtina.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, deputeti socialist Ardit Bido ka përkujtuar veprën e Abedin Dinos, teksa ka shkruar se kujtimi për figura si Abedin Dino është kujtesë për sakrificën, vizionin dhe përpjekjen e shqiptarëve për liri e dinjitet kombëtar

Bido ka shkruar se ‘në 12 shkurt 1878, kur andartët zbarkuan në Sarandë, Abedin Dino rroku armët dhe u vu në krye të rezistencës shqiptare për mbrojtjen e Sarandës, Delvinës, Konispolit dhe gjithë trojeve shqiptare të Jugut’.

Sipas deputetit Bido, përkushtimin ndaj kombit, Abedin Dino e pagoi me jetën e tij.

Postimi i Ardit Bidos:

Si sot, më 9 maj 1906, u vra me urdhër të Sulltanit një nga figurat më të mëdha të Rilindjes Kombëtare shqiptare, Abedin Dino.

I lindur në Prevezë të Çamërisë, Abedin Dino ishte ndër themeluesit e Lidhjes së Prizrenit, themelues i Komitetit Shqiptar të Janinës dhe organizator i Kuvendit të Prevezës, duke u kthyer në një nga zërat më të rëndësishëm politikë e diplomatikë të shqiptarëve në fundin e shekullit XIX.

Ai mori pjesë aktivisht në përpjekjet për përhapjen e gjuhës shqipe, përkrah figurave si Abdyl e Sami Frashëri, Jani Vreto, Hasan Tahsini, Vaso Pasha dhe Zija Prishtina.

Më 12 shkurt 1878, kur andartët zbarkuan në Sarandë, Abedin Dino rroku armët dhe u vu në krye të rezistencës shqiptare për mbrojtjen e Sarandës, Delvinës, Konispolit dhe gjithë trojeve shqiptare të Jugut. Përkushtimin ndaj kombit e pagoi me jetën.

Kujtimi për figura si Abedin Dino është kujtesë për sakrificën, vizionin dhe përpjekjen e shqiptarëve për liri e dinjitet kombëtar. Lavdi veprës së tij!