Këshilli i Qarkut të Shkodrës propozon që gjyqtari Astrit Kalaja, i vrarë në krye të detyrës më 6 tetor 2025, të shpallet "Dëshmor i Atdheut". Ky propozim është përshëndetur edhe nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, e cila në një deklaratë thekson se kjo ishte një nga kërkesat unanime të Konferencës së Gjyqtarëve të mbajtur më 9 tetor 2025 dhe e cilëson vendimin si një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të procesit administrativ.

Shoqata u bën thirrje edhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të përmbyllin sa më shpejt procedurat për njohjen zyrtare të këtij statusi, duke vlerësuar se ky është trajtimi i duhur ligjor dhe institucional për çdo shtetar që humb jetën gjatë ushtrimit të detyrës.

Deklarata e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve:

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me interes vendimmarrjen e Këshillit të Qarkut Shkodër për dhënien e statusit të “Dëshmorit të Atdheut” gjyqtarit, Z. Astrit Kalaja, i cili u vra më datë 6 tetor 2025, në krye të detyrës. Kjo ka qenë një nga kërkesat e paekuivokta dhe unanime të Konferencës së Gjyqtarëve të mbajtur më datë 9 tetor 2025 dhe se për rrjedhojë vendimmarrja e Këshillit të Qarkut Shkodër mirëpritet dhe përshëndetet nga Shoqata si një hap i rëndësishëm në finalizimin e procesit administrativ të njohjes dhe dhënies së këtij statusi. Gjithashtu Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkon dhe inkurajon edhe institucionet e tjera kompetente që të përmbyllin në një kohë sa më të shpejtë procesin e njohjes dhe dhënies së statusit të “Dëshmorit të Atdheut” për gjyqtarin Z. Astrit Kalaja, me bindjen se ky është trajtimi i denjë dhe ligjor i cilitdo shtetar që vritet në krye të detyrës.

Më 6 tetor 2025, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë në sallën e gjyqit, nga Elvis Shkambi, ku mbetën të plagosur edhe babë e bir nga pala kundërshtare Ragip dhe Ervis Kurti.

Elvis Shkambi bashkë me xhaxhin e tij Gjonin po prisnin një vendim, mes të shumtëve në sagën e proceseve gjyqësore, sa i takon konfliktit që kishin me 31 familje për çështje pronësie. Familja Shkambi kishte përfituar një pronë si ish pronar që në vitet ’90 por strehimi i 31 familjeve në të njëjtën godinë nisi konfliktin gjyqësor që zgjat prej 3 dekadash.