TIRANË- Një vit më parë, gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja u ekzekutua në sallën e gjyqit pasi shpalli një vendim për një konflikt pronash të mbartur prej vitesh mes dy familjeve nga Shkodra. Në 1-vjetorin e krimit që tronditi sistemin e drejtësisë, Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen në gjyq, me të pandehur autorin e dyshuar Elvis Shkambi, xhaxhanë e tij Gjon Shkambi, si edhe punonjësin e sigurisë së Gjykatës Banush Koxhaj.

Sipas hetimeve, më 6 tetor 2025, sapo Astrit Kalaja shpalli vendimin, Elvis Shkambi nxori nga brezi pistoletën dhe qëlloi disa herë në drejtim të magjistratit, i cili nuk i mbijetoi dot plumbave. Më pas, 30-vjeçari qëllon me një plumb të vetëm edhe ndaj palës kundërshtare, babë e bir, familjarët që jetojnë në pronën e pretenduar nga xhaxhai i tij, Ragip dhe Ervis Kurtaj.

Duke tentuar të largohen nga salla, Ervis Kurtaj plagoset në dorën e djathtë, ndërsa Ragip Kurtaj dëmtohet në trup. Pas të shtënave, Shkambi ia dorëzoi armën punonjësit të sigurisë dhe doli në oborrin e gjykatës, ku u arrestua në flagrancë. Ndaj tij është ngritur akuza ‘Vrasje e funksionarëve publikë’ që sipas nenit 79/a të Kodit Penal parashikon dënim nga 30 vite burg deri në burgim të përjetshëm. Ndaj tij, rëndon edhe akuza "vrasje në rrethana cilësuese" dhe "armëmbajtje pa leje".

Për ‘vrasje në rrethana cilësuese’ është dërguar në gjyq edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi.

Prokuroria thotë se Elvis dhe Gjon Shkambi hynë në godinë pa iu nënshtruar kontrollit fizik dhe pa u regjistruar në librin e hyrje-daljeve.

Për këtë arsye, në gjyq për “Shpërdorim detyre” është dërguar edhe punonjësi i sigurisë. Sipas Prokurorisë, pamjet tregojnë se ai qëndron i ulur dhe nuk kryen asnjë kontroll ndaj dy personave, duke bërë të mundur që Elvis Shkambi të hynte i armatosur deri në sallën e gjyqit.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin E.Sh., për veprën penale ‘Vrasje e funksionarëve publikë’ dhe ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ kundër palëve ndërgjyqëse e mbetur në tentativë si dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’ parashikuar nga nenet 79/a, 79/ç dhe 278/1 të Kodit Penal.

Po kështu, në gjyq u dërguan dhe shtetasit Gj.Sh., për ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ si dhe B.K., për ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 79/ç dhe 248 të Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.7416, viti 2025 më datë 06.10.2025, nisën pasi rreth orës 15.38, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u njoftua se në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është qëlluar me armë zjarri gjyqtari A.K.

Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, përfshirë këqyrjen e vendit të ngjarjes, administrimin dhe këqyrjen paraprake të pamjeve filmike, rezultoi se gjyqtari A.K., u qëllua në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore me objekt "Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore", me palë paditëse R.K. ku palë të treta ishin edhe shtetasit Gj.Sh. dhe nipi i tij E.Sh.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari A.K., i pandehuri E.Sh., nxorri nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit. Më pas ai ia ka drejtuar pistoletën shtetasve R.K. dhe E.K., të cilët kanë tentuar të largohen nga salla, duke shkaktuar plagosjen e shtetasit E. K. në dorën e djathtë dhe dëmtimin e shtetasit R. K. në trup.

Menjëherë pas këtij veprimi, i pandehuri E.Sh., ia ka dorëzuar armën e zjarrit punonjësit të sigurisë së Gjykatës dhe ka dalë në oborrin e Gjykatës, ku është kapur në flagrancë.

Në përfundim të hetimeve dhe nga provat e administruara rezultoi se i pandehuri E.Sh., e kreu veprën penale në bashkëpunim me të pandehurin Gj.Sh. dhe këta shtetas kanë konsumuar të gjitha veprat penale për të cilat akuzohen. Shtetasi E.Sh deklaroi se armën e ka pasur edhe në seanca të tjera dhe se xhaxhai i tij e dinte këtë fakt. Nga provat rezulton se ndërmjet tyre dhe familjes së shtetasit E.K., ka pasur një konflikt të vazhdueshëm pronësie.

Për sa i përket të pandehurit B.K., rezulton se ai ka konsumuar në të gjitha elementet e veprës penale të Shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Nga hetimet rezultoi se të dy shtetasit E.Sh. dhe Gj.Sh., kanë hyrë në gjykatë pa u kontrolluar, dhe njëri prej tyre kishte armë, të cilën e përdori brenda sallës ku për pasojë gjyqtari A.K. humbi jetën dhe dy persona të tjerë u plagosën. Në  këtë rast kemi cenim konkret, të drejtpërdrejtë dhe jashtëzakonisht të rëndë të interesit juridik që rregullat e sigurisë synonin të mbronin.

Shtetasi B.K., qëndron i ulur dhe nuk kryen asnjë veprim për kontrollin fizik. Po në të njëjtin moment, ai nuk kryen regjistrimin e tyre në librin e hyrje-daljeve dhe kjo provohet edhe nga këqyrja e regjistrit.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Lajmi në përditësim...