Asgjë nuk duket të ketë ndryshuar për Elvis Shkambin. Edhe pas 9 muajve në paraburgim, i akuzuar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës, 31-vjeçari, pak gjasa ka të jetë penduar. Një letër publike që avokati Kujtim Ibraj shpërndan në emër të klientit të tij, lë dyshime të forta për këtë.
Në letër dilet hapur kundër shpalljes “Dëshmor Atdheu” të gjyqtarit të ndjerë, i cili u vra me armë në sallën e gjykatës së Apelit, 8 tetorin e vitit 2025.
Edhe pak momente pas vrasjes, para autoriteteve Elvis Shkambi, u shfaq i ftohtë dhe tha se gjyqtarin e vrau sapo dha vendimin jo në favor të tij, pasi i kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet
Së fundmi, në letrën që bën publike përmes avokatit, i riu del kundër propozimit të Këshillit të Qarkut të Shkodrës që gjyqtari të cilin ai e vrau, të shpallet “Dëshmor i Atdheut”, një vlerësim ky që lartëson figurën e një gjyqtari të shtetit që vritet në krye të detyrës
“Emocionet dhe dhimbja kolektive të mos zëvendësojnë zbatimin korrekt të ligjit. Statusi “Dëshmor i Atdheut” nuk mund të mbështetet vetëm mbi ndjenjën e dhimbjes apo rëndësinë e detyrës. Ngjarja në fjalë lidhet me një konflikt me origjinë civile, i cili kishte zgjatur për shumë vite dhe nuk kishte lidhje me situata të tjera që ligji parashikon si bazë për fitimin e këtij statusi”, tha avokati Kujtim Ibraj.
Respekti - thotë Shkambi përmes avokatit- duhet treguar ndaj ligjit, duke garantuar procese gjyqësore të drejta, të paanshme dhe transparente për çdo qytetar.
“Respekti për kujtimin e gjyqtarit të ndjerë dhe respekti për ligjin nuk janë koncepte që përjashtojnë njëri-tjetrin. Nderimi më i madh për institucionet e drejtësisë është që ato të veprojnë gjithmonë brenda kufijve të ligjit”, vijon Ibraj.
Më tej, Elvis Shkambi pretendon se propozimi për ‘Dëshmor Atdheu’ në kohën kur gjykata nuk ka dhënë vendim përfundimtar ndaj tij, mund ta cenonte paanshmërinë e procesit.
Pas më shumë se 9 muaj nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, prokuroria e Tiranës zgjati me 3 muaj hetimet. I akuzuar po ashtu është edhe xhaxhai, Gjon Shkambi, i cili ishte në sallën e gjyqit bashkë me nipin kur ai ngriti armën ndaj gjyqtarit, sapo mori një vendim kundër tyre në sagën e një konflikti pronësie.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë










Komente
Komento