Kur më 6 tetor 2025 një dorë kriminale vrau gjyqtarin Astrit Kalaja në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë, pati edhe nga ata që u gëzuan. Njëri prej tyre quhet Edviol Kulluri, i vetëshpallur si Kryendrituri, sot në krye të protestës së bulevardit dhe ideolog i Kuvendit Kombëtar Qytetar, që sipas tij duhet të udhëheqë lindjen e Shqipërisë së Re. Dy ditë pas ngjarjes tronditëse, në faqen e tij në Facebook, lartësonte aktin e vrasësit: “Akt që është në fakt vepër madhore e një heroi të një populli të nëpërkëmbur që kërkon drejtësi, të drejta dhe zhvillim të mohuar. Bëjini homazhe sa të doni, po nuk kthyet kurs veprimi, herët a vonë fatin e tij do të keni. Lavdi Heroit! Liri për Heroin!”.

Postimi i Kullurit për vrasjen e gjyqtarit Kalaja

Edviol Kulluri, nuk është thjesht një ndër organizatorët e protestës. Në fakt ai është personi që qëndron pas idesë së Kuvendit Kombëtar Qytetar, i cili deri më tani është pranuar si i vetmi projekt politik që protestuesit e bulevardit synojnë të zbatojnë. Një platformë që anashkalon rendin institucional dhe kushtetues të vendit.

“Është një projekt i ideuar nga unë edhe i nisur nga unë”, pranon Kulluri, në një rrëfim, të shpërndarë në Youtube, ku ai shfaqet në një lokal në bregdetin e Orikumit, biznes i tij.

Kuvendi do të ketë detyrën të krijojë qeverinë teknike tranzitore, e cila, do duhet të zëvendësojë atë të kryeministrit Rama pas dorëheqjes, ndërsa përbërja e tij luhatet nga 150 anëtarë (Kuvendi normal) deri në 300 anëtarë (Kuvendi I zgjeruar me përfaqësues të diasporës).

Në fakt, idenë e tij ai e injektoi, pak nga pak, në shfaqjet e herëpashershme në sheshin e protestës. Më 10 qershor ai e hedh si ide, e cila pasohet me publikimin online të platformës. 7 ditë më vonë shkruan se “krijimi i Kuvendit nga ana e Grupit tonë Nismëtar Koordinues është tashmë domosdoshmëri emergjente dhe jo një çështje që mund të shtyhet për më vonë”.

Postimi i Edviol Kullurit për protestën

Më 27 Qershor ai merr sërish mikrofonin në shesh dhe kërkon pëlqimin që të ecet përpara me formimin e Kuvendit. Turma që e rrethonte u përgjigj me brohorima, gjë të cilën ai e lexoi si miratim nga “populli”, duke premtuar se dhe të 300 anëtarët e Kuvendit do të konsiderohen të tillë, vetëm pasi të marrin pëlqimin po të pjesmarrësve në protestë. Një formulë thjesht populiste, sa dhe vetë ideja e Kuvendit. “Ne do të ndërtojmë një institucion shoqëror të përhershëm, jo institucion kushtetues, por institucion shoqëror që do të përfaqësojë protestën dhe do të ketë fuqi ta mbledhë protestën sa herë herë është e domosdoshme”, shprehet Kulluri.

Një ditë më pas në rrjetet sociale u shpërndanë posterat me thirrjet se “po mblidhet Kuvendi”, ndërsa anëtarët e grupit nismëtarë jepnin kontatet e tyre telefonike për të gjithë ata që donin të bëheshin pjesë. Më 4 korrik, Kulluri e më pas dhe të tjerët njoftuan se një ditë më parë ishte mbledhur Grupi i Punës për formimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar. “Mbi 80 vetë”, shkruante ai në postimin e shoqëruar me dy foto të Grupit, ku ai ishte në qendër. Asnjë emër, dhe as shpjegim se kush e kishte përzgjedhur këtë grup.

24 orë më pas do të duhet të japë disa sqarime, duke shkruajtur në FB, se Grupin e Punës e kishte thirrur ai e duke shtuar se “që Kuvendi të bëhet përfaqësues, duhet të marrë më parë miratimin e protestës”. Sërish pa dhënë shpjegime se nga buron kjo sajesë që nuk ka asnjë lidhje me kurrfarë modeli të një shteti demokratik modern, i cili ka në bazë të tij zgjedhjet, dhe jo pretendimin e përfaqësimit të popullit, i cili kurdoherë, matet me votën dhe jo pjesmarrjen nëpër manifestime, qofshin këto dhe prej disa dhjetëra mijëra.

Postimi i Edviol Kullurit ku thotë se Kuvendi duhet të marrë miratimin e protestës

Kuvendi, një ide fikse e Kullurit

Për Edviol Kullurin, i vetëshpallur "Kryendrituri", Kuvendi Kombëtar Qytetar ka qenë prej vitesh një fiksim. Gjithshka nis me Kuvendin e Dukatit në vitin 2010, i ngritur, siç tregon vetë Kulluri, kundër padrejtësive me pronat e banorëve të zonës, që pushteti i Berishës “nuk donte t’ua kthente dukatasve”. Zbulim që ai e kishte bërë duke qenë drejtor i zyrës Juridike në Bashkinë e Orikumit, dhe më pas si i punësuar pranë Zyrës së Agjencisë së Kthimit të Pronave për atë zonë.

Postim i Edviol Kullurit për Kuvendin e Dukatit

Në rrëfimin e tij në videon e shpërndarë në Youtube, Kulluri flet gjithnjë në vetë të parë. “Mblodha 800 burra në fushën e sportit në Dukat të ri. Kur e nisa, e nisa si një lëvizje për të bëja diçka për zonën time, por edhe për t'u faktorizuar në mënyrë personale. Pra, ishte dhe lëvizje egoiste, imja se unë i kisha kalkuluar që unë tani do t'i mbledh njerëzit, do bëj këtë shfaqjen e madhe me njerëz kështu që s'e ka bërë njeri dhe pastaj do them njerëzve, vazhdoni ju edhe unë do bëj pjesën time si një djalë i moshës që isha 26 vjeç”.

Por ai thekson se “njerëzit më dolën nga parashikimi se më detyruan të bëhesha lider. Kur pranova detyrën pastaj u gjenda i detyruar të dilja nga parashikimi im për arrivizmin tim personal dhe fillova ta bëja me devotshmëri si djalë besnik i krahinës”.

Pas një ultimatumi 45 ditor që ai deklaron se i ishte dërguar kryeministrit Sali Berisha, dhe lidhej me çështjen e pronave të banorëve të zonës, të cilat sipas tij shtrihen deri në Karaburun, banorët vendosën të bllokonin rrugën. Nga përplasja me policinë, ai thotë se priste që ta vrisnin me snajper, ndërsa i kishin arrestuar babanë dhe gjyshin.

Por përballjen do ta ketë në pak metra distance. Kryendrituri, për mrekulli, i shpëtoi plumbave të shtetit. Siç rrëfen, dy gjuajtje me armë nuk e prekën fare, ndërsa polici ja mbathi nga gurët me të cilët iu përgjigj ai vetë. “Mora dy gurë të mëdhenj. Kisha një polic FNSH-së me pushkë atje. Ai më qëlloi me pushkë, e qëllova me gurë, ai më qëlloi prapë me pushkë. E unë e qëllova prapë me gurë. Edhe ai u zbraps se nuk më zuri as plumb, asgjë. Aty ishte momenti kur unë u bëra atdhetar i sinqertë nga një egoist që mendoja për veten time. Pësova një transformim serioz brenda vetes. Aty ishte momenti që vendosa të bëhesha, sa të ishte jeta, kundër sistemit neoenverist”, tregon Kulluri për ngjarjen, ndërsa në deklarimet e tij përfshin të gjithë periudhën që pas luftës së Dytë Botërore, kur flet për zhbërjen e “sistemit 80 vjeçar”.

Krijimi i institucioneve shoqërore, siç i quan ai Kuvendet komunitare, “është misioni që i kam vënë vetes”. Ndonëse përpjekja në Dukat dështoi, ai megjithatë do të përfshihet në një sërë protestash në pjesë të ndryshme të vendit. Në këto aktivitete, daton që prej vitit 2017, njohja dhe bashkëpunimi i tij me Arben Kolën dhe Andi Tepelenën, edhe këta të dy, ndër organizatorët aktiv dhe të protestës së tanishme.

“Mos më thërrisni Kulluri, por Kryendrituri”.

“Kam deklaruar publikisht ndryshimin e mbiemrit tim në vitin 2023 nga Kulluri në Kryendrituri, kështu që ju lutem të gjithëve të më drejtohen me mbiemrin e ri. Arsyet se pse kam vendosur të bëj publikisht ndryshimin e mbiemrit, janë disa por nuk i flas këtu për momentin e megjithatë të gjitha ato arsye janë shoqërizhvilluese e asnjë prej tyre nuk vjen nga shkaqe që sjellin keq”. Këtë shpjegim Edvioli e ka dhënë në një nga grupet e shumta Whatsapp të aktivizuara për protestën.

Edhe në postimet e tij në Facebook, ai përdor po këtë mbiemër, ndërsa e prezanton veten si një njeri që ka lexuar 700 libra, si sipërmarrës, politolog, ekspert në qeverisje dhe edukim dhe si një lider qëndror. 

Ai shprehet se ia dedikon formimin e tij shkollës së mesme ushtarake që ka ndjekur në Turqi. “Një nga gjërat kryesore që ka ndodhur atje është që nga dy deri në tre orë në ditë, çdo ditë të jetës tonë qëndronim gati këtu pa lëvizur dhe kjo na ka ndikuar shumë për thellimin dhe për meditimet e mia sepse duke e lexuar shumë dhe duke ndenjur pa lëvizur për orë të tëra kisha kohë të mjaftueshme për t'u menduar gjatë dhe thellë, gjë që nuk do kishte ndodhur nëse unë nuk do të ndiqja shkollimin ushtarak”, tregon ai në materialin video që gjendet në Youtube.

I diplomuar për Drejtësi në Tiranë, duke ndjekur më pas dhe fakultetin për Shkenca politike të cilin nuk mundi ta përfundojë, kryeorganizatori i protestës, e shfaq veten dhe si teoricien të lëvizjeve shoqërore. “Organizimet që kam ngritur unë nuk kanë qenë organizime të thjeshta spontane, kanë qenë organizime që kërkonin patjetër thellim dhe për këtë arsye mua më është dashur përveç se të veproj në praktikë dhe në terren edhe të teorizoj për të nxjerrë ligje të përgjithshme të të shkencës organizative”,shpjegon ai, duke u prezantuar dhe si autor i 7 librave, ende të pabotuar, me një tjetër në shkrim e sipër, mes të cilëve dhe traktate filozofike. Në materialin e shpërndarë në Youtube, duke treguar një bllok fletësh A4, të lidhura, ku lexohet Libri Udhëheqës, ai thotë se në fakt bëhet fjalë për 1500 faqe të shkruara, ku pjesën më të madhe e ka në USB.

“Janë formulimi i zbulimeve që kanë bërë mbi mbi shkencën e organizimit, mbi nevojat e ndryshimit social politik në shoqëri edhe mbi atë proces që unë e quaj realizimi i revolucionit politik shkencor”, shpjegon ai duke shtuar se librat e tij nuk mund të lexohen e kuptohen nga të gjithë. “Traktat mbi raportin mes gjendjes aktuale dhe gjendjes potenciale”, është një traktat filozofik, nuk është shumë voluminoz, po përmbajtja e tij është e vështirë për t'u përtypur nga kushdo, sepse është filozofi e avancuar. Libri tjetër që kam është 12 ligjet e suksesit mbi mesatar, ku unë kam bërë një shpjegim se çfarë është suksesi mbi mesatar dhe si arrihet ai”, rrëfen ai.

Qëndrimet ekstremiste

Në faqen e tij në Facebook gjen shpesh citime që i referohen “Doktrinës së forcës dhe mirësisë”. Në njërën prej tyre, duke përdorur neologjizma, përkufizime të padëgjuara më parë, që shpesh tingëllojnë të pakuptimta, pjesë me gjasë e teorive të tij filozofike, ai shkruan se “Plotfuqishmërikërkuesi duhet të jetë gjithmonë gati për luftë. Duhet të jetë gjithmonë gati për tu përballur me frikën, me humbjen, me dhimbjen, me vdekjen” duke shtuar më pas se ai duhet “t'i përdorë aftësitë e tij vetëm kur është e domosdoshme dhe vetëm në mënyrë shoqërizhvilluese, për të mirën objektive të vetes, të familjes së tij, të Organizatës, të njeriut dhe të njerëzimit. Kjo është detyrë e shenjtë e çdo Plotfuqishmërikërkuesi Shoqërizhvillues që zbaton vullnetin e Fuqisë Sunduese Supreme të Gjithësisë”.

Por përtej teorizimeve, për ngjarje konkrete ai ka qenë i drejtpërdrejtë duke marrë qëndrime qartësisht ekstremiste. Për situatën e rëndë të krijuar në Zvërnec ku dy roje private tërhoqën zvarrë e qëlluan një protestues, duke iu referuar po ashtu një entiteti të panjohur, shprehet se ata të dy “Komiteti për Dinjitetin e Shqipërisë i ka dënuar parimisht me vdekje për sulm ndaj integritetit fizik dhe identitar të popullit, shtetit dhe kombit shqiptar me qëllim zhbërjen e shtetit dhe kombit dhe parimisht kushdo që mundet kur të mundet në çdo mënyrë që mundet të ekzekutojë vendimin. Ndërsa jashtë parimores, në fakt duhet të marrin dënimin e merituar që parashikon Kodi Penal për tradhëti të lartë dhe për cënimin e integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë”.

Këtij qëndrimi i kishte paraprirë pak muaj më parë, edhe deklarata e tij skandaloze, përmes së cilës lavdëronte vrasësin e gjyqtarit Astrit Kalaja.

Ndërsa pjestarët e Komunitetit LGBTQ+ i etiketon si “Ushtarët e Djallit! Shërbëtorët e skllavëruar të Dobësisë së Ligë!”

Por tani ky Kryendritur, teoricien i dënimit me vdekje për funksionarët publikë që i konsideron të korruptuar, ka marrë në dorë një protestë ku mijëra qytetarë shqiptarë, me sa duket pa ditur asgjë për atë që ai mendon në të vërtetë, i kanë deleguar me besim të plotë fatin e një lëvizjeje mbarëpopullore që pretendon të krijojë një Shqipëri e Re, më paqësore dhe më të mirë.