U zbulua në Rinas, ilaçi për ftohje a po trafikohet për të përzierë drogën?

Sekuestrimi i mbi 1 milion tabletave ilaçe dhe 300 mijë eurove CASH në aeroportin e Rinasit të hënën, kur u arrestuan 5 shqiptarë të Kosovës, erdhi pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e cila sinjalizoi se nga Stambolli do të mbërrinin mallra kontrabandë.  Ky informacion vuri në lëvizje policinë e shtetit, e cila prangosi 5 të akuzuarit, për të cilët Report Tv mëson se janë të njohur me njëri-tjetrin, dy vëllezër Bekim e Ferat Zenuni, si dhe kushërinjtë e tyre, Ardian Ismajli, Andi Grabanica dhe Altin Maqastena.

Dyshimet e policisë janë se tabletat që ishin blerë në Jordani, po hynin në territorin e Shqipërisë dhe me destinacion final Kosovën, nuk kishin qëllimin e tyre parësor të shërbenin si ilaçe. Deklarimet e të arrestuarve nuk janë bindëse dhe roli i tyre është i paqartë, ndërsa dyshohet se gjithë kjo sasi ilaçesh qëllim fundor kishte përgatitjen e lëndëve narkotike.

Në 14 valixhe u gjet i njëjti ilaç i emërtuar “Unifed”, i cili sipas përshkrimit mjekësor përdoret për të lehtësuar simptomat e ftohjes dhe alergjive, por grupi hetimor nuk është i bindur.

Në dosjen e vendimit të masës së sigurisë ku u lanë në burg të gjithë kosovarët, të siguruar nga Report, Tv thuhet se asnjë prej të arrestuarve nuk është farmacist në profesion dhe nuk janë të licencuar në fushën e tregtimit të import-eksportit të barnave në vendin tonë.

Njëri prej të prangosurve, Bekim Zenuni thotë se barnat ia ka dhënë një jordanez me emrin Mohamed dhe sipas tij në Kosovë do i merrte dikush tjetër, pa dhënë emra dhe detaje, njëjtë si vëllai dhe kushërinjtë e tjerë. Edhe 300 mijë eurot u gjetën në çantën e Zenunit, të cilat ai i justifikon se ia ka marrë borxh një mikut të tij turk, për biznes, por nuk ka mundur t’i deklaroj në doganë pasi policia e shoqëroi sapo zbriti nga avioni.

Të tjerët pretenduan se nuk kishin dijeni se Zenuni kishte para në çantë. Hetuesit kanë sekuestruar 6 celularë, të cilët po ekzaminohen me qëllim zbardhjen e personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë rrjet. Për momentin, të gjithë janë në akuzë për kontrabandë me mallra të licencuar, përveç Bekim Zenunit, i cili akuzohet edhe për pastrim të produkteve penale dhe mosdeklarim të të hollave në kufi.

Xh.K/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Nata e dytë e Fest 63, 15 artistë të tjerë ngjiten në skenë

Nata e dytë e Fest 63, 15 artistë të tjerë ngjiten në skenë