Zbardhen detaje të reja nga zhdukja e dy vëllezërve të mitur amerikanë në Tiranë, të cilët u gjetën mesditën e kësaj të hëne, pas pesë ditësh, pranë kopshtit zoologjik. 

Pas marrjes në pyetje nga policia, ata kanë denoncuar nënën e tyre,  Andrea Grace Bailey-Kay, 47 vjeçe, se ajo ushtronte dhunë fizike, dhe për këtë shkak ata ishin larguar nga shtëpia.

Andrea Grace Bailey-Kay bëri denoncim në komisariatin nr.1 në Tiranë në datën 30 maj se, duke kallzuar se dy fëmijët e saj të mitur, T. M. B. dhe T. T. B., janë larguar nga banesa. 

Policia: 47-vjeçarja dhunonte fëmijët
Nga marrja në pyetje në prezencë të psikologes, fëmijët kanë deklaruar se janë larguar nga banesa si pasojë e dhunës që nëna ushtronte ndaj tyre. 

Në bazë të kallzimit të marrë nga fëmijët dhe konsultimit me Prokurorin, u bë arrestimi në flagrancë i kësaj shtetaseje. 

Materialet proceduriale do t'i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale "Keqtrajtimi i të miturve", parashikuar nga Neni 124/b i Kodit Penal. 

Dy vëllezërit amerikanë, rezidentë në Tiranë, Tavish Taog Bailey-Kay, 14 vjeç dhe Tadgh Magnus Bailey-Kay, 17 vjeç u larguan nga banesa pesë ditë më parë.

Dy vëllezërit amerikanë u gjetën sot në mesditë
Gjenden në Kodrat e Selitës 2 vëllezërit amerikanë që rezultonin të zhdukur prej datës 30 maj 2017.

Dy vëllezërit e mitur rezidentë në Tiranë, Tavish Taog Bailey-Kay, 14 vjeç dhe Tadgh Magnus Bailey-Kay, 17 vjeç ishin parë herë të fundit në zonën e Laprakës në Tiranë.

Më i vogli prej djemve, 14-vjeçari vuan nga probleme mendore ndërsa gjetja e tyre u vështirësua edhe nga fakti që djemtë nuk dinin shqip.

Dy amerikanët janë zhdukur dhe njëherë në vitin 2015 në Somona të Meksikës.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com