Udhëheqja e di

Udhëheqja e di
Kaq e thjeshtë ishte! Po pse duhej një seancë e jashtëzakonshme, a thua na shpalli luftë ndonjë nga qindrat armiqtë që na rrethojnë, siç thotë Kreshniku? Nuk mundej të bëhej në një seancë normale? Edhe nuk lodheshin deputetët e stërmunduar në fushatë për të mirën e vendit e të vendalinjve, po edhe shqiptarët e shkretë nuk trazonin tani në kokët e tyre plot halle çështjet e mëdha të integrimit me çështjen e madhe se kush do qeverisë pas 23-shit.

Tashti mbetet një problem i madh për këto ditë, kush do ta marrë flamurin e ta tundë lart e poshtë fshatrave të Shqipërisë si fitimtari që na sjell haberin e integrimit? Realisht me këto tre ligje as që mund të flasim për integrim, por gjithsesi ne çdo dy vjet e hedhim nga një hap drejt Bashkimit Europian, e ky i djeshmi ishte një i tillë.

Tani edhe ca dhjetëra hapa të tjerë na duhen. A kishim mundësi dje të bënim dy hapa njëherësh? Kishim. Me KQZ. Por ndoshta të mësuar të hedhim nga një hap, me dy njëherësh mund të na ngatërroheshin këmbët. Hiç. Asnjë fjalë. As andej, as këtej. Përfundimisht edhe KQZ mbeti vetëm K. Një institucion ku janë punësuar katër njerëz dhe kaq...

Ndërsa në atë atmosferë dashurie që i kishte kapur të majtë e të djathtë e të mestë, mund të tregoheshin vërtetë dashuronjës të demokracisë dhe të integrimit. Një marrëveshje në ekstrem për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, një rrugë e mesme, qoftë edhe jo e artë, do ju jepte të gjitha palëve pikët maksimale si politikanë që përgjërimin e përditshëm për ndershmërinë dhe pastërtinë zgjedhore dinë ta shfaqin jo vetëm me fjalë, por edhe me letra.

Ore, pa u ngritur ndonjë qerrata andej nga fshatrat e të pyesë, po e bëjmë një pyetje nga qyteti, qofshim të gabuar: kur këto zgjedhjet u bëkan vetëm me këtë institucionin tjetër që nuk është i prishur, me Kolegjin Zgjedhor, për çfarë duhet KQZ? Për të bërë hamallëqet?

Po se çthonë ca palaço juristë, sikur nuk mund të bëhen aq kollaj se që të vesh në kolegj për t’u ankuar, duhet të kesh më parë një vendim nga KQZ, e që të ketë një vendim nga KQZ duhet që vetë KQZ të ketë pesë njerëz më e pakta. Se domethënë ky kolegji na qenka si tip gjykatë e shkallës së dytë, që ankohet për gjykatën e shkallës së parë, që në këtë rast i bie të jetë KQZ.

Po atij që i ka rënë rasti të vejë në gjykatën e shkallës së dytë, ka pasur ca copa letrash të vulosura nga ata të shkallës së parë, që sipas mejtimit të hallexhiut ja ka fut kot. Si zgjidhet kjo? Se tashti, ose KQZ është hallkë e tepërt dhe bën vetëm rregjistrimin e partive, që mund ta bëjë edhe një sekretare, ose do ngecë proçesi paszgjedhor...

Gjithsesi e kotë që ta vrasësh mendjen, edhe ti, edhe unë, se si thotë ajo fjala e urtë, ai që bën themelet do ta ndërtojë edhe shtëpinë. Kështu që edhe kjo çështje do jetë zgjidhur e ne nuk dimë gjë fare, ose do ta marrim vesh kur të dalë flaka, se tymi po na mbyt. Tu gëzohemi fillimisht këtyre tre ligjeve, që megjithëse as Fefziu kur e pyeti Topalli nuk i dinte, na thonë që janë gjë shumë e mirë. Si thoshin dikur, udhëheqja e di.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Makina plagos të miturin në Lungomare

Vlorë/ Makina plagos të miturin në Lungomare