TIRANE - Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, përmes një komunikate për shtyp, “përshëndet dorëzimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave nga Komisionerja për Çështjet e Brendshme Ministres së Integrimit të Republikës së Kosovës që shënon fillimin e procesit që do të mundësojë lëvizjen pa viza të qytetarëve të Republikës së Kosovës drejt hapësirës Shengen”.
Sipas MPJ, “dorëzimi i udhërrëfyesit shënon një ngjarje shumë të rëndësishme në agjendën integruese të Kosovës, dhe një hap cilësor drejt materializimit të perspektivës së pakthyeshme të saj evropiane”.
Ministria e Punëve të Jashtme të Tiranës “është e bindur se institucionet e Kosovës do të përmbushin me shpejtësi dhe cilësi të gjithë detyrimet që përmban platforma e dorëzuar sot, duke dëshmuar aftësi e kapacitete të plota vepruese në drejtim të konsolidimit të përkatësisë evropiane të Repulikës së Kosovës dhe të të gjithë qytetarëve të saj”.
“Kurorëzimi i suksesshëm i këtij procesi do të shënojë edhe shembjen e barierës së fundit në lëvizjen pa viza të të gjithë qytetarëvë të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt hapësirës Shengen”, përfundon qëndrimi i Tiranës zyrtare.

(im/shqiptarja.com)