Udhëtim në Shqipëri në
kërkim të Italisë që ish

Udhëtim në Shqipëri në <br />kërkim të Italisë që ish
Nëse thua që në gusht do të shkosh në Shqipëri të shohin menjëherë shtrembër. Si vallë, në një vend kaq humbës, nga ku njerëzit ia mbathin me vrap... e çfarë njerëzish, pastaj. Por unë po shkoja për një arsye që nuk mund ta thoja sepse do të ngjante një çmenduri. Hipa mbi ata tragete koti, me vonesë të përjetshme, sepse kërkoja në Shqipëri tokën time, detin tim, njerëzit e mi të pesëdhjetë viteve më parë. Isha i bindur se shqiptarët ishin versioni bardhë e zi i puljezëve, i shikoja si fshatarët tanë të dikurshëm, ata të Vittore Fiore dhe të lukanit Rocco Scotellaro.

Pastaj, më kujtohej kur fëmijë avokati Pinto shkonte me not në Shqipëri dhe më ndiqte zëri bezdisës i një komunisteje të çmendur që në Radio Tirana njoftonte rënien nga momenti në moment të Kapitalizmit dhe të Imperializmit perëndimor. Dhe imagjinoja ne puljezët që niseshim me skafistët për t’u strehuar në të ndritshmen Republikë komuniste shqiptare.

Pastaj nuk shkoi tamam kështu. Ma kishte marrë mendja: njihja një vajzë, Netta, që kishte lindur në Shqipëri dhe kishte mbërritur në Itali e fshehur në një valixhe me vrima, pasi e ëma arratisej nga uria dhe tirania. Kur të ëmës i dhanë lejen që të ripërqafonte të afërmit e saj, pas shumë vitesh, shkoi t’i takonte dhe në tavolinë, kur i dhanë pjatën, të gjithë shikonin në heshtje, të uritur, dhe ajo kuptoi, tha se nuk kishte uri dhe vëllezërit e saj, si Konti Ugolino, u hodhën mbi pjatën e pasur duke harruar mënjanë motrën e përkëdhelur nga Perëndimi.

Mu kujtua një përkthyes shqiptar i RAI-t të cilit i konfiskuan vilën e familjes sepse aty ishte Nënë Tereza. Dhe mu kujtua Indro Montanelli që atje shkoi - më shumë se 30-vjeçar - me të atin, në kohën kur Shqipëria kaloi nën Perandorinë e Italisë. Dhe publikoi në 1939 një libër lëvdatash, “Shqipëria një dhe njëmijë”, të financuar nga Minculpop, ndonëse Indro ka thënë gjithmonë se ai nja dy vite më parë ishte bërë antifashist. Më kalonin nëpër kokë edhe pamjet e një filmi të barezit Nico Cerasola, “Albania blues”, ku gjysma e Shqipërisë së tij ishte ferma puljeze.

Ishin këto ndjesitë e mjegullta që më dërgonin në Shqipëri, por ishte një tjetër mbi të gjitha që druaj ta rrëfej, që lidhet me atë Puglia-n prusiane për të cilën flisja. Ndërkohë ju them se duke shkuar gjeta atë që kërkoja. Rigjeta gjurmë të varfërisë së riemërtuar, ato fytyra të rrudhura, trishtimin e fshatrave të zbrazura nga gjithçka, nuk them pa boutique stilistësh por pa dy furrë buke, me baret dhe hotelet që në mëngjes injorojnë brioshët, tortat, biskotat, vetëm kafe dhe një gotë ujë; maksimumi gjalp primitiv dhe marmelatë mbi një fetë bukë lufte.

Shkova në pjesën më në jug, mes Vlorës dhe Sarandës, sepse atë kërkoja unë. Deti i fëmijërisë, plazhet e mia, Testa, Salsello, Salata, Ripalta. Dhe i gjeta të paprekura, siç i mbaja mend në fëmijëri, në Bisceglie, 50 vjet më parë, ku ndërkohë nuk gjenden më, veçse false. Ndërsa aty gjendeshin në pastërtinë e tyre origjinale, ndonëse të kërcënuara nga një tragjedi ndërtimesh, rënduar nga rrënojat e regjimit të vjetër komunist, plus shtëpi fshati, si në Siçili dhe në Kalabri.

Pashë dy baza ushtarake të braktisura buzë detit, në Porto Palermo dhe më pas në Jari; një gji magjeps përkrah një kishe, por i paarritshëm, mes mureve dhe bllokimeve. Përpiqem të hyj, por nga muri hapet një sportel dhe shfaqen dy koka, njëra pas tjetrës, që ritheksojnë mohimin. Ata të dy, vetëm, si japonezët në luftë të përfunduar, ruanin atë fortesë në rrënojë, respektues ndaj një urdhri që ndoshta i përkiste kohës së diktatorit Hoxha, disa dhjetëvjeçarë më parë. Ishte impresionuese vetmia e tyre.

Piktoresk kufiri me Greqinë, në Butrint: një platformë e ndryshkur transporton katër automjete çdo herë dhe një njeri tërheq litarin nga bregu tjetër. Hyhet në Europë me tërheqje litari, dhe dilet me të njëjtin kriter. Greqia po humbet në tërheqjen e litarit dhe rrezikon të përfundojë në Shqipëri... Këtu hahet me dy lekë, flihet me katër. Me 500 lekë, gati tre e euro e gjysmë, ke çadrën dhe dy shezlongje; tamam si në Forte dei Marmi... Në këmbim duhet të durosh muzikën obsesive me volum maksimal. Tabelat duken fryt i një gjuhe të imituar: tualet për toilette, piceria për pizzeria. Çmim fiks kudo, edhe mjalti i shitur në baraket e malit. Duhet të jetë pasojë e komunizmit.

Por pastaj hyn në atë det fëmijërie dhe të ndez mrekullinë e pritur, që të tjerët do ta quanin aluçinacion. Fillimisht gjen ujin, shkëmbinjtë e detit të fëmijërisë; më pas kripa e fortë, aromat dhe kundërmimi. Ndërkohë gjen personat e humbur në atë të kaluar. Dikur, fëmijë, mendoja se të vdekurit kalonin nga bregu tjetër. Për mua Shqipëria ishte toka e të vdekurve, domethënë toka ku kishin përfunduar ata që ishin zhdukur nga anët e mia. Spoon River-i ynë.

Por impresionimin më të madh e pata kur pashë një fëmijë të zi sterrë që ecte zbathur nëpër rrugë dhe isha unë gjysmë shekulli më parë. Më pas ripashë, ndërsa kalonte një barkë me vela pas krahëve të tyre, dy të rinj që putheshin mbi shkëmbinj. Ishin im atë dhe ime më pikërisht siç janë në një foto bardhë e zi të 1935. Atëherë e kuptova çfarë kërkoja në Shqipëri: jo një tokë për t’u zbuluar, dete të rinj dhe njerëz të rinj, por atë kohë antike, dallgët e saj dhe banorët e saj të humbur në hinkën e pamëshirshme të kohës. Kërkoja fëmijërinë time, dhe në atë fëmijëri origjinën e botës, botën tënde të vogël e antike ose universin e tërë të parë përmes vrimës së jetës sime. Në fund të fundit, udhëtohet për t’u rikthyer. Mëngjesi i jetës sonë ka marrë emrin e Shqipërisë.

*Marrë nga e përditshmja italiane "Il Giornale"

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Ermal Meta do të bëhet baba për herë të parë

Ermal Meta do të bëhet baba për herë të parë