Udhëtimet/ Durrësi, mes
detit dhe antikitetit

Udhëtimet/ Durrësi, mes<br />detit dhe antikitetit
Nëse pyet kryeqytetasit se ku preferojnë ta kalojnë më së shumti fundjavën e tyre gjatë pranverës, shumica do të tregojnë Durrësin, si një destinacion
të shpejtë, por edhe si një vend ku mund të kalosh ditët e pushimit në ajrin e pastër të detit. Pranvera dhe vjeshta janë dy stinët ku banorët e Durrësit dhe Tiranës shijojnë më shumë se në çdo stinë tjetër të dimrit,natyrën dhe klimën bregdetare të Ariatikut. Vera dhe plazhi i largojnë pushuesit e fundjavave duke u lënë vend turistëve nga Kosova për të cilët Durrësi është një nga plazhet më të parapëlqyer. Por mes verës dhe dimrit, bregdeti i Durrësit
i përket vetëm banorëve vendas. Nga Currilat e deri përtej shkëmbit të Kavajës bregdeti mbushet plot me vizitorë kryesisht gjatë ditëve të pushimit.

Njerëz që vrapojnë, shijojnë kafetë apo dreka me gatime deti, të tjerë që bëjnë shëtitje të gjata në breg, apo familjarë e të rinj që kërkojnë të shkrydhin muskujt duke u përfshirë në lojëra të ndryshme me top. Lëvizjet në këtë pjesë fillojnë që të premten paradite dhe fluksi i njerëzve shtohet gjatë orëve të mesditës. Një rrjet i tërë hotelesh e restorantesh u japin mundësi pushimi gjatë fundjavës edhe atyre që nuk kanë blerë apartamente në këto zonë pranë bregut të detit, apo përtej autostradës. Pranvera ka rizgjuar tashmë shërbimet në bregdetin e Adriatikut ku duken gjurmët e përgatitjeve të para për sezonin e plazhit. Shezlonët e hapur në rërë, mund të shfrytëzohen kur temperaturat çmenden në pranverë dhe nuk janë të paktë ata pushues që tundohen dhe bëjnë banjo dielli apo uji. Megjithë pishat e rralluara diku mund të gjendet një vend për të bërë piknik si dikur, edhe pse restorantet i joshin pushuesit drejt komoditeteteve.
Vija bregdetare e Durrësit është 61.6 kilometra e gjatë.
Nëse ju pëlqen të eksploroni vijën bregdetare, nga Gjiri i Durrësit deri në atë të Lalzit në veri, mund të gjeni monumente historike, siç është Kalaja e Skënderbeut, Kalaja e Ishmit, si dhe kisha mesjetare. Natyrisht ata që preferojnë plazhet piktoreske do të zbulojnë se bregdeti nuk është edhe aq pa surpriza.

DETI DHE ANTIKITETI
Ditët janë mrekullueshme në bregun e detit, por sapo mbaron spektakli i perëndimit të diellit, ku mund të sprovosh veten me aparatin fotografik, nata vjen thuajse e shkretë në bregdet. Aktivitetet e zhurmshme ose jo, thuajse mungojnë. Për të shmangur mbylljen e një dite pushimi me pasivitet, fare mirë mund të lini për disa orë bregun e detit për të udhëtuar drejt Durrësit, kur përveç lëvizjeve mund të shijoni një shëtitje në zonën e kalasë.
Më herët gjatë ditës mund të shfrytëzoni të gjithë zonën antike të qytetit përfshirë një shëtitje në amfiteatrin antik, ndërtim i fundit të shek. I fillimi i shek.II pas.Krishtit. në kohën e perandorisë romake në amfiteatër shijoni ndeshjet e gladiatorëve 15 mijë spektatorë. Aty mund të shikoni edhe mozaikun në kapelën e vogël të këtij monumenti. Mozaiku shumëngjyrësh paraqet shenjtorët Stefan, Sofi e Irene, si dhe figurën laike të perandorit Aleksandër. Duke mbetur tek mozaikët mund të vizitoni edhe një tjetër në lagjen nr.3 të qytetit, në një godinë luksoze, të periudhës romake.
Pamja urbanistike e arkitekturore e tij ruan gjurmët e kohës. Gjatë një shëtitjeje, mund të shijoni arkitekturën italiane të ndërtesave në “Rrugën Tregtare” të hapur fillimisht, në vitin 1927, pas rënies së tërmetit të vitit 1926. Ndër monumentet më të famshme që gjeni në këtë qytet janë Torra Veneciane, Kulla e Karl Topisë, Rrethoja Bizantine apo Bazilika e Arapajt. Në Teatrin “Aleksandër Moisiu”, jo vetëm mund të shijoni shfaqjet e fundjavës, por mund të shikoni edhe forumin bizantin

Bashkë me termat e periudhës romake, poshtë themeleve të pallatit të Kulturës, krijon një “ishull arkeologjik”, në qendër të qytetit.
Mos lini pa vizituar edhe Murin Turk të ndërtuar nga pushtuesit turq, që e kthyen qytetin, pas vitit 1501, në garnizon ushtarak. Përgjatë këtij muri ndërtohet dhe Kulla me Sahat, dhe në brendësi të “Lagjes Kala”, gjendet Hamami Mesjetar dhe jashtë tij, në “Lagjen Varosh”, Pusi i Tophanes.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Sarandë, arrestohet grabitësi serial, vodhi marketin (EMRI+VIDEO)

Sarandë, arrestohet grabitësi serial, vodhi marketin (EMRI+VIDEO)