Udhëheqësit botërorë i bëjnë homazhe ish-Papës Benedikti XVI

Udhëheqësit botërorë i bëjnë homazhe ish-Papës Benedikti XVI

Udhëheqësit botërorë po i bëjnë homazhe Benediktit XVI, Papa Emeritus, i cili vdiq të shtunën në  Vatikan në moshën 95-vjeçare. Benedikti, i cili ishte Papa i parë në pothuajse 600 vjet që dha dorëheqjen nga posti i tij, në vend që të mbante detyrën përgjithmonë, vdiq të shtunën, sipas një deklarate nga Vatikani.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ish-papa "dërgoi një sinjal të fortë përmes dorëheqjes së tij".

“Vdekja e Papa Benediktit më trishton. Simpatia ime shkon për të gjithë katolikët” tha von der Leyen në një postim në Twitter, duke shtuar, “Ai kishte dhënë një sinjal të fortë përmes dorëheqjes së tij. Ai e pa veten së pari si një shërbëtor për Perëndinë dhe Kishën e tij”

Homazhe bëri edhe kryeministri britanik Rishi Sunak.

“Jam i pikëlluar kur mësova për vdekjen e Papa Emeritus Benediktit XVI”, shkroi Sunak në Twitter të shtunën.

"Mendimet e mia janë me njerëzit katolikë në MB dhe në mbarë botën sot," shtoi Sunak.

Mbreti Charles III i Britanisë i dërgoi një mesazh ngushëllimi Papa Françeskut pas vdekjes së Benediktit. “Vizita e tij në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2010 ishte e rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve midis Selisë së Shenjtë dhe Mbretërisë së Bashkuar”, tha mbreti në mesazhin e publikuar në faqen zyrtare të familjes mbretërore.

“Kujtoj gjithashtu përpjekjet e tij të vazhdueshme për të promovuar paqen dhe vullnetin e mirë për të gjithë njerëzit dhe për të forcuar marrëdhëniet midis Komunitetit global Anglikan dhe Kishës Katolike Romake,” tha ai.

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni shprehu admirimin e saj për ish-papën.

“Benedikti XVI ishte një gjigant i besimit dhe i arsyes. Ai e vuri jetën e tij në shërbim të Kishës universale dhe foli, dhe do të vazhdojë të flasë, në zemrat dhe mendjet e njerëzve me thellësinë shpirtërore, kulturore dhe intelektuale të Magjisterit të tij”, shkroi ajo të shtunën në Twitter.

Presidenti italian Sergio Mattarella e përshkroi Papa Benediktin XVI si një "figurë të paharrueshme për popullin italian", duke thënë se Italia është në "vuajtje" për vdekjen e tij. Butësia dhe mençuria e tij ishin një bekim "për komunitetin tonë dhe gjithë komunitetin ndërkombëtar", tha Mattarella të shtunën në një deklaratë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se ish-papa "ishte një udhëheqës i veçantë i kishës për shumë njerëz".

“Si një Papë 'gjerman', Benedikti XVI ishte një udhëheqës i veçantë i kishës për shumë njerëz, jo vetëm në këtë vend. Bota humbet një figurë formuese të Kishës Katolike, një personalitet argumentues dhe një teolog të zgjuar. Mendimet e mia janë me Papa Françeskun”, shkroi Scholz në Twitter.

Kancelari austriak Karl Nehammer shkroi në Twitter: “Së bashku ne katolikët vajtojmë vdekjen e Papa Emeritus Benediktit XVI. Ai ishte një figurë e shquar historike, një dijetar i madh edhe në moshë të re. Benedikti XVI ishte një nga krerët e paktë gjermanishtfolës të Kishës dhe Papa i parë i kohëve moderne, i cili dha dorëheqjen nga detyra me dëshirën e tij”, shkroi ai.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të shtunën se "mendimet" e tij ishin me katolikët në mbarë botën pas vdekjes së ish-Papës.

“Mendimet e mia janë me katolikët e Francës dhe të botës, duke vajtuar për largimin e Shenjtërisë së Tij Benediktit XVI, i cili punoi me shpirt dhe inteligjencë për një botë më vëllazërore”, shkroi Macron në Twitter.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri homazhe papës emeritus në një mesazh në Twitter.

“I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta Papa Françeskut, hierarkisë dhe besimtarëve të Kishës Katolike në mbarë botën për vdekjen e Papa Benediktit XVI – një teolog, intelektual dhe promovues i shquar i vlerave universale”, shkroi Zelensky.

Kryeministri indian Narendra Modi tha se ish Papa do të mbahet mend për "shërbimin e tij të pasur ndaj shoqërisë".

“I pikëlluar për ndarjen nga jeta të Papa Emeritus Benediktit XVI, i cili ia kushtoi gjithë jetën Kishës dhe mësimeve të Zotit Krisht. Ai do të mbahet mend për shërbimin e tij të pasur ndaj shoqërisë. Mendimet e mia janë me miliona në mbarë botën që pikëllojnë vdekjen e tij, "tha Modi në një postim në Twitter.

Kryeministri australian Anthony Albanese tha se ishte "i pikëlluar" nga vdekja e ish-Papës.

"Me pikëllim dëgjova për ndarjen nga jeta të Papa Emeritus Benediktit XVI, këtë mbrëmje. U preftë në paqe të përjetshme," shkroi Albanese në Twitter.

Presidenti rus Vladimir Putin, i cili drejton pushtimin e Ukrainës nga Moska, e quajti ish-papën "mbrojtës të patundur të vlerave tradicionale të krishtera".

"Kam pasur rastin të komunikoj me këtë person të shquar dhe kujtimet më të ndritshme për të do t'i ruaj përgjithmonë. Do të doja t'ju përcjell fjalët e sinqeritetit në këtë orë zie", shtoi ai.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres e nderoi ish-Papën si "një njeri të përulur të lutjes dhe studimit", i cili ishte "parimor në besimin e tij, i palodhur në kërkimin e paqes dhe i vendosur në mbrojtjen e të drejtave të njeriut".


Lajmi kryesor:

Ndërron jetë në moshën 95-vjeçare Benedikti i XVI, Papa i dorëhequr në 2013-n, i pari drejtues i Kishës Katolike i larguar vetë pas 600 vitesh


K.T./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë