Udhëheqësit e BE-së përpëliten për migrimin

Udhëheqësit e BE-së përpëliten për migrimin

Ushtarët duke patrulluar ndërmjet gardheve me tela me gjemba në kufirin e Maqedonisë së Veriut

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mblidhen në Bruksel më 17 dhe 18 tetor për samitin e tyre të rregullt të vjeshtës. Takimi është i fundit para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, që do të mbahen në nëntor, si dhe zgjedhjeve presidenciale dhe referendumit për anëtarësimin në BE në Moldavi, më 20 tetor, dhe zgjedhjeve parlamentare në Gjeorgji, më 26 tetor.

Në Bruksel, bisedimet për Ukrainën do të jenë kryesoret, edhe pse priten pak vendime. Çështje e nxehtë pritet të jetë debati për migracionin, i cili mund të ketë pasoja për disa vende që shpresojnë t’i bashkohen një ditë BE-së.

Draft-konkluzionet e samitit, që i pa Radio Evropa e Lirë, përfshijnë pak të reja për Ukrainën. Përveçse përmendet një lloj “samiti i paqes”, që do të mbahej deri në fund të vitit, duke përfshirë potencialisht edhe pjesëmarrjen ruse, në tekstin e konkluzioneve thuhet, thjesht, se “Këshilli Evropian thekson se nuk mund të ndërmerret ndonjë iniciativë për Ukrainën pa Ukrainën”.

Draft-dokumenti lë të kuptohet se nuk do të ketë sanksione të reja kundër Rusisë dhe se, në vend të tyre, udhëheqësit, në fund të samitit, do të theksojnë nevojën për “zbatim të plotë dhe efektiv të sanksioneve dhe për masa të mëtejshme për të luftuar shmangien e tyre, përfshirë edhe përmes vendeve të treta”.

Për ndihmën ekonomike, ambasadorët e BE-së ranë dakord, javën e kaluar, për 35 miliardë euro të tjera ndihmë financiare për Kievin për vitin 2025, të cilat i morën nga asetet e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë në BE.

Megjithatë, BE-ja nuk u pajtua për zgjatjen e sanksioneve ndaj këtyre aseteve - nga gjashtë muaj në 36 muaj. Kjo zgjatje do t’u lejonte vendeve të tjera të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, të ofronin fonde gjithashtu. Hungaria, aktualisht, është duke e bllokuar zgjatjen e sanksioneve dhe një vendim për këtë çështje ka të ngjarë që Brukseli të mos e marrë deri pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Në votimet e ardhshme në Moldavi, draft-konkluzionet e samitit nxjerrin në pah përpjekjet e Kremlinit për të ndikuar në proces, përmes manipulimeve dhe ndërhyrjeve në informacione. Ndonëse nuk mban anë publikisht, është e qartë se Brukseli shpreson që moldavët të votojnë për BE-në, si në referendum, ashtu edhe në zgjedhjet presidenciale.

Vetëm javën e kaluar, BE-ja vendosi për ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e vizave për pesë persona, përfshirë Evghenia Gutulin, guvernatore proruse e rajonit autonom moldav të Gagauzisë. BE-ja sanksionoi edhe Evrazia-n, një OJQ me bazë në Rusi, e themeluar për t’i promovuar interesat ruse në Moldavi.

Për më tepër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, udhëtoi së voni në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinjev, ku prezantoi një paketë financiare për këtë vend, me vlerë prej 1.8 miliard eurosh, për tre vjetët e ardhshëm. Për Gjeorgjinë, disponimi është padyshim më i zymtë.

Draft-konkluzionet nxjerrin në dukje një “shqetësim serioz për kursin e veprimit në Gjeorgji, i cili bie ndesh me vlerat dhe parimet mbi të cilat është themeluar Bashkimi Evropian” dhe theksojnë se zhvillimet e fundit në Gjeorgji, rrezikojnë rrugën e vendit drejt BE-së dhe “de facto ndalojnë procesin e anëtarësimit”.

Miratimi i të ashtuquajturit “ligj për agjentët e huaj” dhe “ligjit anti-LGBT” në Gjeorgji e ka shtyrë BE-në t’i anulojë vizitat politike të nivelit të lartë në Tbilisi dhe t’i bllokojë disa fonde të dedikuara për vendin e Kaukazit Jugor.

Brukseli nuk e përjashton mundësinë e miratimit të më shumë masave në të ardhmen, nëse Gjeorgjia devijon më tej nga demokracia. Por, diskutimi më intensiv në samitin dyditor të kësaj jave pritet të përqendrohet rreth migrimit. Rreshti më i diskutueshëm në draft-konkluzione ka të bëjë me “mënyrat e reja për të parandaluar dhe luftuar migrimin e parregullt... në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Kjo është diçka si vazhdimësi e një letre të shkruar nga 15 shtete anëtare të BE-së - drejtuar Komisionit Evropian në qershor - në të cilën theksohej nevoja për partneritete të ndryshme me vendet joanëtare të BE-së.

Kjo mund të nënkuptojë pagesën e vendeve si Tunizia dhe Turqia, për t’i parandaluar migrantët që të arrijnë në BE, ose skema të tjera, të tilla si ajo që po zhvillohet midis Italisë dhe Shqipërisë - ku Roma po ndërton kampe për të strehuar deri në 40.000 migrantë në vit, që kapen në det. Ideja e krijimit të këtyre “pikave të nxehta të jashtme” jashtë BE-së, ku autoritetet do t’i shqyrtojnë kërkesat e azilkërkuesve përpara se të hyjnë në BE, po fiton terren.

Qëndrimet më të ashpra ndaj migracionit vijnë disa javë pasi Gjermania vendosi kontrolle në të gjithë kufijtë e saj. Kjo pasoi një sulm në perëndim të Gjermanisë në verë, kur një azilkërkues i dështuar vrau tre persona.

Qëndrimet e tilla vijnë, gjithashtu, pasi partitë kundër imigracionit dolën të parat në zgjedhjet parlamentare në Austri, më 29 shtator, dhe qëndrojnë mirë në sondazhet e fundit në Republikën Çeke dhe në Gjermani.

Vlen të theksohet se edhe Qeveria franceze, e formuar së voni, është e varur nga Tubimi Kombëtar i partisë së ekstremit të djathtë të Marine Le Penit, dhe se forca të ngjashme politike janë duke drejtuar ose ndikuar qeveritë në shtete të tjera kryesore të BE-së, si Italia, Holanda dhe Suedia. Është vetëm një numër i vogël i vendeve, veçanërisht Spanja, që ngurrojnë të miratojnë politika më kufizuese të BE-së për migracionin.

Ndërsa samiti i BE-së nuk do të hyjë në detaje në lidhje me vendet e tjera që mund të luajnë një rol të ngjashëm si Shqipëria, sa u përket migrantëve, ka mundësi që vendeve të tjera kandidate për BE, për shembull atyre në Ballkanin Perëndimor, t’u kërkohet diçka e ngjashme./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë