"Udhëtim i gjatë drejt natës" ishte drama që erdhi si shfaqje premierë e Teatrit Kombëtar të premten e 3 tetorit, e cila gjithashtu  çeli sezonin e ri arstistik teatror 2014/2015.

Vepra e shkruar nga  Eugene O'Neill, u vu në skenën e TK-së nga regjisori i njohur Spiro Duni, i cili ia besoi intepretimin e saj kastës së aktorëve si, Yllka Mujo dhe Artan Imami në rolet e personazheve kryesore (Maryt dhe James),  Lulzim Zeqjës  së bashku me Genti Deçkën (në rolet e djemve të çiftit) si dhe Laura Kuretës (në atë të shërbyeses),  të cilët me intepretimin e pjesës së shkruar nga  shkrimtari irlandezo-amerikan, i cili për këtë pjesë është vlerësuar edhe me çmimin "Pulitzer", kanë emocionuar të pranishmit në sallë.

Rrekja e përditshme për mbijetesë të një familjeje të shkatërruar nga alkooli,  droga, apo degradimi moral, ka rikthyer  përsëri bashkë në skenë Yllka Mujon dhe Artan Imanin  si i një çift, pas shumë vitesh që nga koha e "Zbutjes së Kryeneçes", të cilët në rolin e dy bashkeshortëve me vartësi nga droga e alkooli,  intepretuan këtë dramë të fuqishme psikologjike.

Eugene O'Neill i konsideruar si një nga dramaturgët më të mirë amerikanë, këtë herë me dramën e tij "Udhëtimi i gjatë drejt natës" sjell në vëmendje historinë e një familje, por kjo drejt rrënimit të saj. Një kryetar familjeje, koprac i cili nuk paguan as paratë për spitalin, pasi djali ishte i sëmurë.

Duke parë kopracinë e kryetarit të familjes, gruaja, djali i madh dhe ai i vogël, shkojnë drejt rrënimit. Në veprën, e cila i vendos ngjarjet në Amerikë, tregohet historia e një familjeje, e cila nga mëngjesi deri në mbrëmje përjeton dramën e saj.

Vetë regjisori  Duni e ka përkufizuar edhe më parë veprën e nobelistit si "ajkë" e dramaturgjisë amerikane,  që  mbi të gjitha i flet realitetit tonë.
Të gjithë ata që nuk kanë mundur ta ndjekin pjesën, do të kenë mundësi ta shohin atë duke qënë se ajo do të shfaqet përsëri në datat 4/5/8/9/10/11/12 tetor 2014 në ora 19:00 në skenën e Teatrit Kombëtar.

ATSH